Mehmet Kancı - Autori është një gazetar nga Turqia, i cili shkruan analiza mbi politikën e jashtme turke
STAMBOLL (AA) - Konferenca e 58-të e Sigurisë në Mynih u mbajt kryekëput nën ndikimin e zhvillimeve që lidhen me "krizën në Ukrainë". Ndërsa armët gjëmonin në lindje të Ukrainës njëkohësisht me konferencën e mbajtur më 18-20 shkurt, Rusia testoi raketat e saj më të avancuara nga ajri, toka, nënujore dhe platformat mbi ujë në një zonë të gjerë nga Oqeani Paqësor deri në Detin Mesdhe dhe nga Deti i Zi në Detin Barents.
Pse Rusia nuk mori pjesë në konferencë?
Konferenca nuk u zhvillua me praninë e të gjithë anëtarëve të kësaj organizate. Administrata e Moskës, e cila është përfaqësuar në qytetin gjerman të Mynihut në nivele të ndryshme që nga viti 1999, nuk ishte në Gjermani, pavarësisht ftesës për presidentin rus, Vladimir Putin. Megjithëse pala ruse si arsye për refuzimin e pjesëmarrjes përmendi kufizimet e COVID-19, arsyet e vërteta të refuzimit të ftesës u deshifruan midis rreshtave të deklaratës së zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, më 9 shkurt.
Sipas Rusisë, Konferenca e Sigurisë në Mynih tani është kthyer në një "Forum Transatlantik" dhe ka humbur gjithë përfshirjen dhe objektivitetin e saj. Shqetësimi i Kremlinit nuk kufizohet vetëm këtu. Wolfgang Ischinger, i cili ka qenë kryetar i Forumit të Konferencës së Sigurisë në Mynih që nga viti 2008, ngriti shiritin e kritikave kundër Rusisë përpara se të largohej nga detyra, kurse pasardhësi i tij, ambasadori Christoph Heusgen, i cili mori detyrën këtë vit, nuk kurseu në kritikat e tij presidentin rus Putin, i cili ishte i vendimtar në mos lejimin e drejtuesve të Kremlinit të udhëtojnë në Gjermani.
Nisur nga e kaluara, ku raportet e Rusisë me ambasadorin gjerman Heusgen nuk ishin aq të ngrohta, atmosfera e krijuar në konferencën e kryeqytetit rus Moskë bëhet edhe më e qartë. Kur Heusgen u largua nga posti i përfaqësuesit të përhershëm të vendit të tij në OKB në fund të vitit 2020, Dmitry Polyanski, përfaqësuesi i parë i përhershëm i Federatës Ruse në OKB, e përcolli atë me fjalët e mëposhtme: "Dëshiroj t'ju them lamtumirë me fjalët e shkrimtarit Mikhail Zhvanetsky (1934-2020), i cili së fundi u largua nga kjo botë. Për fat të keq, në fund (!) po largoheni. Shpresoj që me largimin tuaj, Këshilli i Sigurimit të përmbushë më mirë detyrat e tij për mbrojtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Më vjen shumë keq, ambasador Heusgen".
Mesazhi i Putinit në 2007
Edhe pse Rusia refuzoi të marrë pjesë në konferencë, fjalimi i Presidentit Putin në pjesëmarrjen e tij në 2007 mbetet i vlefshëm edhe sot. Në fjalimin e tij në Mynih 15 vjet më parë, Putin ngriti kundërshtimin e tij ndaj rendit botëror unipolar duke thënë: "Sistemi i aleancës perëndimore me kuptimin 'një zot, një sovran' me seli në Washington do të shkatërrojë veten". Në të njëjtin fjalim, Putin ritheksoi gjithashtu kërkesat e Rusisë për garancinë e sigurisë se NATO nuk do të lëvizte më tej drejt lindjes, duke cituar fjalimin e ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Manfred Worner, më 17 maj 1990. Në atë fjalim, Worner tha: "Fakti që ne nuk do të vendosim një ushtri të NATO-s jashtë kufijve të Gjermanisë, do t'i japim Bashkimit Sovjetik një garanci të fortë sigurie". Putini rikujtoi gjithashtu këtë frazë të Worner në vitin 2007, duke u thënë pjesëmarrësve të Konferencës së Mynihut: "Pra, ku janë këto garanci?" Kremlini vazhdon të bëjë të njëjtën pyetje edhe sot.
I gjithë stafi i administratës amerikane në Mynih
Sapo administrata amerikane konfirmoi kritikat e Rusisë se organizata po shndërrohej në një "Forum Transatlantik", pothuajse i gjithë stafi mbërriti në Mynih. Delegacioni i SHBA-së udhëhiqej nga zëvendëspresidentja Kamala Harris, ndërsa më shumë se 30 kongresmenë ishin gjithashtu në Mynih për të treguar mbështetjen e tyre për Ukrainën në veçanti.
Njëkohësisht me konferencën u takuan edhe ministrat e jashtëm të vendeve të G7, të organizuar nga ministrja e re e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock. Ukraina ishte gjithashtu pjesë e diskutimeve të takimit të ministrave të jashtëm të Gjermanisë, SHBA-së, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë, Japonisë dhe Kanadasë. Ministrat e Jashtëm të shtatë vendeve paralajmëruan se çdo nismë që do të kërcënonte integritetin territorial të Ukrainës do t'i përgjigjej me sanksione të rënda ekonomike, ndërsa ata përsëritën thirrjet e tyre për dialog për zbatimin e Marrëveshjeve të Minskut.
Në qendër të fjalës së zëvendëspresidentes amerikane Harris ka qenë edhe çështja e sanksioneve që do të vihen në fuqi ndaj Rusisë, por detajet e të cilave nuk janë bërë të ditura. Harris shprehu gjithashtu kënaqësinë e saj për ndjenjën e unitetit të krijuar nga zhvillimet në Ukrainë mes anëtarëve të NATO-s, duke theksuar se "jemi duke kaluar në një periudhë vendimtare për rrjedhën e historisë".
Thirrje nga Zelenskiy për të qenë "të sinqertë"
Ishte një deklaratë e zëshme për qortimet e vendit të tij që Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shprehu si në fjalimin e tij para pjesëmarrësve, ashtu edhe në takimin e tij me zëvendëspresidenten amerikane. Zelensky, duke iu drejtuar vendeve perëndimore, deklaroi: "Nëse po na thoni se ka një mundësi njëqind për qind për pushtim, atëherë pse të mos vendosni sanksione parandaluese, çfarë prisni?" Pyetjen tjetër presidenti ukrainas e shoqëroi me kritika në lidhje me procesin e anëtarësimit të vendit të tij në NATO. Zelensky, i cili kërkoi t'i paraqitet një udhërrëfyes i qartë për anëtarësimin e Ukrainës, theksoi: "Nëse nuk doni të na shihni këtu, jini të sinqertë. Është mirë që dyert janë të hapura, por ne gjithashtu kemi nevojë për përgjigje".
"Nuk jemi në gjendje paniku. Jemi të vetëdijshëm se kush po përpiqet të na vrasë dhe kush po shtie ndaj nesh", tha presidenti ukrainas, duke nënvizuar se ai u beson më shumë të dhënave të inteligjencës së vendit të tij sesa të SHBA-së. "Por ne gjithashtu nuk do të lejojmë që ata që qëllojnë, duke u fshehur pas civilëve, të përshkallëzojnë tensionet duke na provokuar", tha ai duke treguar distancën mes tij dhe Washingtonit me fjalët e tij. Megjithatë, përgjigja ndaj fjalëve të Zelenskyt nga Moska, nga ku po kërkonte dialog, nuk erdhi ashtu siç priste. Më 20 shkurt, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitriy Peskov, tha në përgjigje: "Putini ka të gjitha arsyet që të mos e shohë më Zelenskyn si dikë që mund të përmbushë Marrëveshjet e Minskut". Ai me këto fjalë ia mbylli dyert perspektivës së negociatave mes dy liderëve.
Në agjendë ishin edhe marrëdhëniet Indi-Rusi
Një nga rezultatet e konferencës, që pritet të bëhet i qartë në afat të mesëm, do të jenë marrëdhëniet Indi-Rusi. Para konferencës, u zbulua në shtyp se vendet perëndimore do të shprehnin pritshmëritë e tyre nga ministri i Jashtëm indian, Subrahmanyam Jaishankar, se vendi i tij do të mbante një qëndrim më të ashpër kundër Rusisë. Jaishankar u përball me kërkesa të ngjashme kur u takua me sekretaren e Jashtme britanike, Liz Truss, në Takimin Ministror të Dialogut Katërpalësh të Sigurisë (QUAD) ku mori pjesë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në Melburn dy javë më parë dhe në takimin "Blloku i Jugut" tre javë më parë. Vendet perëndimore nuk presin që India, e cila ka qenë prej kohësh në një partneritet strategjik me Rusinë, të marrë një pozicion kundër Moskës në një afat të shkurtër, por ata shpresojnë që kryeqyteti indian Nju Delhi të mbështesë integritetin territorial të Ukrainës.
Ajo se sa dhe si do të afrohet India gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, do të përcaktohet nga vizita e kryeministrit pakistanez Imran Khan në kryeqytetin rus më 23-24 shkurt, me rritjen e bashkëpunimit mes Rusisë dhe Kinës. Imran Khan do të jetë i pari që do të bëjë një vizitë në Rusi nga Pakistani në nivelin më të lartë për 22 vjet.
Afrimi i Rusisë me Kinën, ku India po përjeton konflikte kufitare, dhe Pakistani, ku është në konkurrencë bërthamore, padyshim mund të çojë drejt ndryshimit të vlerësimeve të kërcënimeve të New Delh-it.
Çështjet botërore mbetën në prapavijë në Mynih
Konferenca e Sigurisë së Mynihut, e cila filloi nën ndikimin e një zone me presion të lartë të krijuar nga kriza ukrainase, preferoi titullin "Përmbysja e kursit në politikën e jashtme - refuzimi i dëshpërimit të nxjerrë" për raportin e përgatitur. Raporti i parë, i publikuar në vitin 2015, ishte 72 faqe. Por shumëllojshmëria e krizave me të cilat përballet bota sot (energjia, ushqimi, klima, furnizimi, pandemia, etj.) bëri që raporti i vitit 2022 të arrijë në 182 faqe. Sipas ekspertëve që përgatitën raportin, shoqëritë sot përballen me një "dëshpërim kolektiv", sikurse edhe individët. Në veçanti, pamundësia e shoqërive dhe strukturave shtetërore për t'iu përgjigjur presionit në rritje për ndryshim, veçanërisht kur po përfundon çereku i parë i shekullit të 21-të, del në pah si elementi kryesor i fokusuar në raport. Megjithatë, kriza e Ukrainës nuk i ka lejuar 35 krerët e shteteve dhe qeverive dhe më shumë se 100 ministra t'i trajtojnë këto çështje në masën e dëshiruar.
Acarimi i kontradiktave gjeopolitike
Në analizën time për Anadolu Agency për vlerësimin e Konferencës së 55-të të Sigurisë së Mynihut në 2019, kam përdorur titullin "Funerali i Globalizimit: Konferenca e 55-të e Sigurisë në Mynih". Vetëm brenda tre viteve, problemet e pazgjidhura të finales së Luftës së Parë të Ftohtë dhe efektet e vazhdueshme të krizës ekonomike globale të vitit 2008, të kombinuara me kërcënimet e reja të shekullit të 21-të, shkatërruan urat midis botës transatlantike dhe Euroazisë.
Ndërsa rivaliteti mes dy superfuqive të dy botëve përshkallëzohet, vende si Gjermania, Ukraina dhe Franca, të cilat janë në mes të vijës së frontit, po shkojnë drejt një krize më të thellë gjeopolitike. Qëndrimi i vendosur i Britanisë së Madhe dhe SHBA-së për të parandaluar rikthimin e Rusisë në "Lojën e Madhe", ku ajo kërkon ripërcaktimin e sferave të ndikimit të saj, e bën samitin e NATO-s në kryeqytetin spanjoll Madrid në qershor më kritik.
Zhvillimet tregojnë se plani i NATO-s për të lëvizur drejt lindjes nuk kufizohet vetëm në Ukrainë - Detin e Zi dhe Kaukaz, ndërsa aleanca e sheh gjithashtu rajonin Indo-Paqësor si sferën e saj të ndikimit. Na pret një botë në të cilën kontradiktat gjeopolitike do të bëhen edhe më të acaruara nëse Tajvani dhe Deti i Kinës Jugore shndërrohen në Ukrainë të Azisë Juglindore.
*Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Anadolu Agency
news_share_descriptionsubscription_contact


