Saimir Alija
25 Dhjetor 2017•Përditësim: 26 Dhjetor 2017
TIRANË (AA) - Besimtarët e krishterë sot në Shqipëri kremtojnë festën e Krishtlindjeve. Besimtarët u janë drejtuar kishave, ku janë organizuar meshat me rastin e kësaj dite të shënuar për të krishterët, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndërkohë, mesazhe urimi për besimtarët e krishterë kanë dërguar zyrtarë të lartë të vendit.
Në një prononcim për mediat, pas vizitës në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve u shpreh: “Duhet të jemi sa më pranë njëri-tjetrit dhe të bashkëpunojmë për më shumë paqe, mirësi, begati dhe më shumë vëmendje dhe kujdes ndaj atyre që janë më të pa mbrojtur, më të përjashtuar, më në vështirësi, në mënyrë që të kemi një shoqëri më të bashkuar, më optimiste dhe më të fortë për të ardhmen. Jam i bindur se shoqëria jonë është më e vendosur në vlerat e solidaritetit, mirëbesimit dhe mirëkuptimit".
Për festën e Krishtlindjeve në Katedralen e "Shën Palit" në Tiranë dhe në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë janë mbajtur meshat tradicionale.
Ndërsa në prag të festës së Krishtlindjeve, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i dha shtetësinë shqiptare kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos.