Besar Ademi
10 Nëntor 2017•Përditësim: 10 Nëntor 2017
SHKUP (AA) – Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, dërgoi mesazh urimi me rastin e dy vjetorit të hapjes së servisit të Anadolu Agency (AA) në gjuhën maqedonase.
Shefi i diplomacisë maqedonase tha se Republika e Maqedonisë është një mbrojtës i përkushtuar i lirive të mediave dhe është shprehur se AA me aktivitetin e saj kontribuon në pluralizmin dhe diversitetin e medias.
“Në të njëjtën kohë, dëshiroj t’ju falënderoj për faktin se përmes transmetimit dhe publikimit të lajmeve në gjuhën maqedonase, Anadolu Agency (AA) kontribuon në kultivimin dhe promovimin e mëtejshëm të gjuhës”, thuhet në urimin e ministrit Dimitrov.
Para dy vitesh, më 9 nëntor të vitit 2015, AA në Shkup hapi servisin në gjuhën maqedonase, prej ku publikohen lajmet edhe në gjuhën shqipe.
Gjatë dy viteve të fundit, servisi i AA-së në gjuhën maqedonase publikonte lajme nga të gjitha anët e botës.
Që nga themelimi i servisit të AA-së në gjuhën maqedonase deri tani janë publikuar 25.460 lajme, 11.260 foto galeri dhe 6.060 video incizime.
AA ka një histori të gjatë mbi nëntë dekada. AA publikon lajme në 13 gjuhë të botës, mes të cilave në turqisht, anglisht, arabisht, persisht, BHS (boshnjakisht, serbisht, kroatisht), rusisht, kurdisht, frengjisht, shqip, maqedonisht, indonezisht dhe në gjuhën spanjolle.