Sibel Vezaj
16 Maj 2017•Përditësim: 17 Maj 2017
PRISHTINË (AA) - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, sot priti në takim zyrtar homologun e tij, ministrin e Jashtëm të Estonisë, Sven Mikser, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas takimit të mbajtur në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, Hoxhaj dhe Mikser mbajtën një konferencë të përbashkët për media.
Ministri estonez, duke shprehur besimin se e ardhmja e Kosovës duhet të jetë në familjen evropianet, heksoi mbështetjen e shtetit të tij për axhendën evropiane të Kosovës si dhe në anëtarësimin e këtij shteti në organizata të ndryshme ndërkombëtare.
“Ka disa pengesa finale që duhet të tejkalohen për të arritur tek ai qëllim dhe ne si kryesues të Këshillit të Evropës dëshirojmë t’i inkurajojmë që t’i tejkaloni këto pengesa sa i përket Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi si dhe të dëshmimit që jeni në rrugë të qëndrueshme sa i përket luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Mikser.
Ministri i Jashtëm estonez po ashtu tha se pas zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë të cilat do të mbahen më 11 qershor, do të vazhdohet bashkëpunimi me qeverinë dhe parlamentin e Kosovës për zgjidhjen e çështjeve të mbetura.
“Besoj që është mjaft me rëndësi të shohim se zgjedhjet të bëhen në mënyrë transparente, në mënyrë korrekte dhe në mënyrë të duhur dhe si rezultat i zgjedhjeve të kemi një qeverisje që ka mbështetje të mjaftueshme të votuesve dhe të parlamentit në mënyrë që t’i ndjekë këto ambicie dhe këtë axhendë të reformimit për të çuar përpara shtetin”, tha ai.
Kurse ministri Hoxhaj, duke theksuar se Kosova mund të mësojë shumë nga Estonia, shprehu nevojën e thellimit të bashkëpunimit bilateral mes këtyre dy vendeve.
“Unë e informova ministrin për implementimin apo zbatimin e reformave që ne kemi bërë në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA), në kuadër të reformave të axhendës evropiane dhe po ashtu kemi biseduar si një temë të tretë për anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare”, tha Hoxhaj.
Hoxhaj po ashtu bëri të ditur se ka njoftuar ministrin estonez për pritjen që procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të përfundojë me njohjen reciproke mes këtyre dy vendeve.
Ndryshe, sot në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, ministri Mikser u takua edhe me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, kryeministrin Isa Mustafa, kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin dhe ministren e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj.