Furkan Abdula,Fatjon Cuka,Zülfiya Yakup
01 Janar 2019•Përditësim: 01 Janar 2019
SHKUP/TIRANË/PRISHTINË (AA) - Viti i Ri 2019 u prit me muzikë, argëtim dhe fishekzjarre në sheshet kryesore në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sikurse viteve të kaluara, edhe kësaj radhe kremtimi i Vitit të Ri është shënuar në kryeqytetet e këtyre vendeve, Shkup, Tiranë dhe Prishtinë.
Në kryeqendrën e Maqedonisë, Shkup, shumë qytetarë pritën ndërrimin e motmoteve në sheshin "Maqedonia", ku u argëtuan nga grupi kroat i muzikës rok "Parni Valjak" dhe këngëtarë dhe grupe muzikore nga Maqedonia dhe rajoni.

Festimi i Vitit të Ri u organizua nga Qyteti i Shkupit, ndërsa sheshi "Maqedonia" tashmë rreth dy javë mban aktivitete të ndryshme me rastin e festave të fundvitit.
Gjatë kësaj periudhe, në shesh u vendosën kasolle prej druri, si pjesë e lagjes "Winterland" e Vitit të Ri, ku u ofruan suvenire të punuara me dorë, dekorime, libra, dhurata të Krishtlindjeve, si dhe specialitete gastronomike dhe pije të nxehta.
Spektakël fishekzjarresh në Tiranë
Ndërkohë, qytetarët e Tiranës dhe qyteteve të tjera të vendit kanë pritur ndërrimin e viteve në shtëpitë e tyre, por edhe në sheshet e qyteteve për të festuar së bashku.
Bashkia e Tiranës me rastin e Vitit të Ri ka organizuar spektaklin e fishekzjarrëve si dhe koncert me këngëtarë shqiptarë në sheshin “Skënderbej” në kryeqytetin e Shqipërisë.
Qytetarë të shumtë i janë bashkuar atmosferës festive në Tiranë, duke festuar së bashku nën tingujt muzikor dhe të shfaqjes së fishekzjarrëve.

Pjesë e festimeve në sheshin “Skënderbej” është bërë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka pritur ndërrimin e viteve së bashku me qytetarët e kryeqytetit, ndërsa ai ka përcjellë mesazhin e tij me rastin e Vitit të Ri.
Për festën e Vitit të Ri kanë përcjellë mesazhe urimi për qytetarët drejtuesit më të lartë të vendit, si presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama.
Ndërkohë për mbarëvajtjen e ceremonive festive, Policia e Shqipërisë ka marrë një sërë masa shtesë për të parandaluar incidentet.
Prishtina shënon ndërrimin e motmoteve me fishekzjarre dhe koncert
Nga ana tjetër, banorët e Prishtinës pritën Vitin e Ri 2019 me fishekzjarre të shumta dhe një koncert në ajër të hapur.Disa qindra qytetarë u mblodhën në sheshin "Zahir Pajaziti" në qendër të kryeqytetit të Kosovës, ku komuna e Prishtinës organizoi koncert. Në koncertin që filloi në orën 22:00, u shfaqën këngëtarë të muzikës pop dhe rok, përfshirë këngëtarët Ledri Vula, Flaka Krelani, Dren Abazi, Xuxi dhe Zig Zag Orkestrën.

Tradicionalisht, shumica e qytetarëve të Kosovës presin Vitin e Ri në atmosferë shtëpiake pranë familjeve të tyre.