Figen Shaban
09 Maj 2018•Përditësim: 10 Maj 2018
PRISHTINË (AA) - Zyra e Bashkimit Evropian(BE) në Kosovë organizoi aktivitete të ndryshme për 9 Majin, Ditën e Evropës, ndër të cilat ishin panairi i arsimit të lartë, një performancë e Himnit të Evropës në sheshin "Nënë Tereza" të Prishtinës, aktiviteti me pikturë nga fëmijët në sheshin "Zahir Pajaziti" dhe pika muzikore nga kori i fëmijëve "Okarina", raporton Anadolu Agency (AA).
Aktivitetet filluan me panairin e arsimit të lartë, në Zyrën e BE-së në të cilën studentët patën rastin të marrin informacione për mundësitë e shkollimit në shtetet e BE-së dhe bursave nga 16 shtetet anëtare të BE-së. Këtë panair e vizitoi edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe ministrja e Integrimeve Evropiane e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha si dhe ambasadorët e shteteve të BE-së në Kosovë.
Pas hapjes së panairit filloi edhe performanca e Himnit të Evropës nga bendi i të rinjve kosovarë i muzikës klasike. Të pranishmit poashtu vizituan edhe fëmijët të cilët në sheshin "Zahir Pajaziti" shprehnin mendimet dhe imagjinatën e tyre për Ditën e Evropës përmes vizatimit. Aktivitetet vazhduan me një koncert të korit të fëmijëve "Okarina" ku kënduan këngë në gjuhën shqipe dhe angleze në qendër të kryeqytetit.
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova në një prononcim për media përgëzoi kosovarët për gjithçka që, sipas saj, po bëjnë drejt rrugës evropiane.
"Ju keni punuar shumë dhe sigurisht se duhet të punoni edhe më tepër, por sot natyrisht se është një ditë feste. Mos të harrojmë se Dita e Evropës feston paqen, stabilitetin, unitetin, dhe kjo kanë qenë edhe motoja e themeluesve tanë për këtë ditë. Ne jemi shumë të lumtur që po festojmë këtë vit me ju ", tha Apostolova.
Ndërsa, sa i përket pyetjes për datën e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, Apostlova tha se kjo varet nga vendimi i përbashkët i shteteve anëtare të BE-së duke shtuar se i inkurajon kosovarët që të punojnë sa më shumë në përforcimin e shtetit ligjor, në respektimin e të drejtave të njeriut si dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ndërsa, ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha shprehu shpresën që populli i Kosovës të jetë sa më afër Evropës çdo vit dhe "Kosova të jetë ajo që ne duam ta shohim."
"Të rinjtë tanë dhe të gjithë qytetarët tanë të kenë perspektivë. Për këtë është edhe BE-ja që të gjitha vendet të punojnë drejtë fuqizimit të shteteve të tyre dhe t`i reformojnë ato jo sepse Evropa apo Brukseli na thotë këtë, por duhet ta bëjmë këtë për Kosovën tonë dhe për qytetarët tanë të dashur", tha Hoxha.