Bekim Laci
25 janar 2018•Përditësim: 26 janar 2018
SHKUP (AA) - Komunikimi i qytetarëve me institucionet e shtetit në pajtueshmëri me ligjin për përdorimin e gjuhëve nga viti 2008, është tema e konferencës së sotme të organizuar nga shoqata qytetare për përkrahjen e dialogut ndëretnik "Vlera të Përbashkëta", raporton Anadolu Agency (AA).
Qëllimi i debatit nga analiza e bërë me punonjësit administrativ është se sa qytetarët kanë përdorur mundësitë e ligjit në fjalë. Kryetarja e OJQ-së, "Vlera të Përbashkëta", Razije Jonuzi tha se qëllimi final i analizës së bërë, është që të meren përvojat më të mira nga ligji i vitit 2008 dhe të njëjtat të zbatohen në ligjin e ri, i cili tashmë është rikthyer në procedurë parlamentare për miratim.
Studimi ka përfshirë punonjësit e katër ministrive, Transport dhe Lidhje, Arsim dhe Shkencë, Punë dhe Politikë Sociale dhe Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit përmes anketimit dhe intervistave me udhëheqës të sektorëve për të parë se si qytetarët komunikojnë me institucionet e shtetit kur nuk e përdorin gjuhën maqedonase.
"Ajo që është konstatuar nga analiza është mungesa e informimit se si duhet të zbatohet ligji, pasi jo gjithsecili është i informuar se ekziston një ligj i tillë nga viti 2008, dhe një çështje tjetër është zgjidhja 'ad hoc' nëse një palë vendos të flet gjuhë tjetër nga maqedonishtja pasi sektorët nuk janë të ekipuar, dhe në të shumtën e rasteve, problemi është zgjidhur në mënyrë kolegiale nga punonjësit”, tha Jonuzi.
Profesoresha universitare Besa Arifi, tha se ligji i vitit 2008 është implementuar fare pak nëpër institucionet e shtetit, duke hedhur fajin tek mosinformimi i vet nëpunësve shtetërorë.
Për sa u përket rekomandimeve dhe perspektivave të ligjit tha ajo, fillimisht nevojitet ngritja e vetëdijes dhe përcaktimi i metodave për zbatimin e tij.
“Mungesa më e madhe që ka penguar zbatimin ka qenë mungesa e akteve nën-ligjore brenda ministrive dhe institucioneve të shtetit që do të bënin të mundur zbatimin në praktikë të normave ligjore. Akte të tilla nën-ligjore ose nuk janë sjellë fare, ose nëpunësit nuk kanë qenë në dijeni se duhet të ekzistojnë akte të tilla”, tha Arifi, për të shtuar se rekomandimi kryesor që del nga kjo analizë është krijimi i mekanizmave të cilat do të garantojnë respektimin e këtyre dispozitave ligjore.
Rikujtojmë se më 11 janar, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë miratoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Sipas këtij ligji, parashikohet që në të gjitha organet shtetërore të vendit, përveç gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj, gjuhë zyrtare të jetë edhe gjuha që flitet nga 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë dhe shkrimi i saj, në këtë rast gjuha shqipe.
Gjashtë ditë më vonë presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në një adresim para opinionit deklaroi se ka vendosur të mos e dekretojë miratimin e Ligjit me pretekstin se është miratuar pa debat publik dhe shkencor si dhe pa përfshirjen e opozitës, publikut akademik dhe atij të ekspertëve.
Tashmë ligji në fjalë është rikthyer në procedurë parlamentare, dhe nëse siguron 61 vota të deputetëve, atëherë nuk do të jetë i nevojshëm dekretimi i presidentit, me çka pas shpalljes në 'Gazetën Zyrtare' hyn në fuqi.