Saimir Alija
25 dhjetor 2018•Përditësim: 26 dhjetor 2018
TIRANË (AA) - Besimtarët krishterë në Shqipëri kremtojnë sot festën e Krishtlindjes, raporton Anadolu Agency (AA).
Në Katedralen e Kishës Ortodokse në Tiranë u mbajt mesha e Krishtlindjes, ku të pranishëm ishin besimtarë të shumtë, ndërsa mesha u drejtua nga kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Me rastin e Krishtlindjes është mbajtur një meshë edhe në Katedralen Katolike të Shën Palit në Tiranë, që u drejtua nga kreu i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë - Durrësit, George Frendo.
Ndërkohë, besimtarëve të krishterë festën ua kanë uruar edhe presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi.
Meta në mesazhin e tij në rrjetet sociale thekson se kjo festë mishëron vlera sa hyjnore, aq dhe njerëzore si dhe uron që të sjellë drejtësi sociale.
Ndërsa Ruçi, në urimin e tij thekson se Krishtlindjet janë një gëzim i brendshëm drite e paqeje për cilindo.
"Kjo ditë e bukur na mëson se dhembshuria e bën shoqërinë më të ngrohtë, më të drejtë dhe më të barabartë. Kemi një moment për të medituar se lumturia e të gjithëve, jo pasuria e disave, e bën jetën tonë më të mirë. Kjo ditë na rikujton se e drejta dhe e vërteta dhe jo fuqia mbi të dobtit janë pushteti i vërtetë", thuhet në mesazhin e Ruçit, publikuar nga zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë.
Ditën e sotme besimtarët e krishterë në të gjithë Shqipërinë kremtojnë festën e Krishtlindjeve, ku dhe shkëmbejnë urime dhe vizita me njëri-tjetrin.