Admir Fazlagikj
26 Dhjetor 2017•Përditësim: 26 Dhjetor 2017
SHKUP (АА) – Kompania TAV Maqedoni njoftoi sot se nga sezoni i ardhshëm veror, do të vendosë orarin e fluturimeve për një linjë të re ajrore Eindhoven-Ohër, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç informojnë nga TAV-i, një tur-operator nga Holanda do të vendosë lidhjen e dytë me aeroportin e Ohrit, tek i cili tashmë aterojnë avionët që nisen nga Holanda përmes linjës Amstersam-Ohër-Amsterdam, duke themeluar linjën Eindhoven-Ohër.
Siç është paralajmëruar, fluturimet e reja sezonale pritet të sjellin në Ohër mes 3000 dhe 35000 turistë të ri holandezë, që do të çojë totalin e holandezëve të ardhur në Ohër për pushime në rreth 15.000.
Mes tjerash, TAV bën të ditur se në 11 muajt e parë të vitit 2017 është shënuar një rritje e udhëtarëve me 13 për qind, më saktësisht 1.9 milionë udhëtarë të cilët kanë shfrytëzuar shërbimet e dy aeroporteve, në Shkup dhe Ohër. Në të njëjtën kohë, numri i fluturimeve është rritur me 7 për qind, ose gjithsej 16.756 fluturime.