20 Dhjetor 2018•Përditësim: 20 Dhjetor 2018
TIRANË (AA) - CİHAD ALİU
Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) e cila operon në Shqipëri që prej vitit 1996, deri më sot ka realizuar 447 projekte në fusha të ndryshme si në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe mbrojtje së trashëgimisë kulturore, raporton Anadolu Agency (AA).
Zyra e Koordinimit të TIKA-s për Shqipërinë, e cila u hap më 31 janar 1996 në përputhje me protokollin e bashkëpunimit të nënshkruar me Shqipërinë, ashtu si në të kaluarën edhe sot ajo përpiqet të realizojë shumë projekte.
TIKA që prej vitit 2003 vazhdon me rritjen e numrit të projekteve dhe aktiviteteve të saj në Shqipëri, ku deri më tani ajo ka zbatuar 44 projekte në sektorin e shëndetësisë, si restaurime spitalesh dhe qendrash shëndetësore, mbështetje me pajisje dhe formimin e laboratorëve për analiza mjekësore.
Në fushën e infrastrukturës dhe të shërbimeve shoqërore në Shqipëri, TIKA ka realizuar 207 projekte në fushat e zhvillimit të infrastrukturës administrative dhe civile, mbështetjen e kongreseve dhe simpoziumeve, mbështetje të aktiviteteve të bashkëpunimit kulturor dhe bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile.
TIKA në vend ka gjithsej 42 projekte të cilat kanë përfunduar ose janë në vazhdim për vitin 2018.
Po ashtu nga TIKA janë siguruar uniformat dhe pajisjet e personelit të Policisë së Shqipërisë, si dhe ka dhënë mbështetje për infrastrukturën teknike me qëllim për vazhdimin në cilësi të lartë dhe me produktive të aktiviteteve të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë dhe që të sigurohen mundësitë për dhënien e shërbimeve në të njëjtën cilësi me përfaqësitë diplomatike të vendeve të zhvilluara.
Gjithashtu në vend TIKA ka zhvilluar shumë projekte edhe në fushën e arsimit, ku ajo ka zbatuar 105 projekte arsimore kryesisht ndërtimi i ndërtesës së Medresesë "Haxhi Sheh Shamia" në Shkodër, rinovimin e shkollës së mesme “Mustafa Kemal Atatürk” në Vlorë dhe ka siguruar pajisje arsimore për shkollat.
- Ndihma për të prekurit nga përmbytjet
Ndër të tjera TIKA ka realizuar restaurimin e shumë objekteve të arsimit parashkollor dhe çerdheve në Shqipëri, ka siguruar që fëmijët të kenë mundësi arsimore në kushte të përshtatshme dhe të shëndetshme, si dhe ka realizuar ngritjen e "Dhomës së Perceptimeve" të shkollës speciale “Luigj Gurakuqi” në Tiranë.
TIKA ka rinovuar duke e bërë të përshtatshme për të dhënë shërbim me standarde bashkëkohore dhe moderne bibliotekën e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ka rinovuar ndërtesën "Librat Akademikë" të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ka rikonstruktuar bibliotekën dhe sallën e konferencave të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, si dhe i ka dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë pajisje elektronike për t’u përdorur në dixhitalizimin e arkivave kryesisht të atyre osmane.
Ndihmat ushqimore për të prekurit nga përmbytjet në qytetin Shkodër në veriperëndim të Shqipërisë, shpërndarja e pakove me ndihma për familjet në nevojë në muajin e Ramazanit në të gjithë vendin kanë qenë ndër projektet e tjera të TIKA-s ku ajo ka zgjatur dorën e ndihmës për personat në nevojë.
- Ka marrë përsipër mbrojtjen e trashëgimisë historike
Me synimin për ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët historike dhe për të ofruar kontribut për zhvillimin e turizmit kulturor në Shqipëri, TIKA ka marrë përsipër restaurimin e shumë xhamive dhe objekteve të trashëgimisë historike e kulturore në vend.
Në vitin 2014 ka përfunduar restaurimin e Xhamisë Murad Bey në Krujë, të Xhamisë në kalanë e Prezës, Xhamisë Nazireshës në Elbasan, Xhamisë Iljaz Bej Mirahori në Korçë dhe Xhamisë së Plumbit në Berat.
Ndërsa në vitin 2018 TIKA ka nisur restaurimet e Xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë, Xhamisë së Pazarit në Gjirokastër, Xhamisë Mbret në Berat dhe Teqesë Halveti dhe Xhamisë së Beqarëve në Berat dhe pas përfundimit të këtyre restaurimeve brenda 2 viteve do t‘ia dhurojë turizmit kulturor të Shqipërisë.
Në mesin e projekteve që vazhdojnë nga TIKA në Shqipëri janë edhe parku i lodrave në Liqenin Artificial në Tiranë, rinovimi dhe pajisja e ndërtesës konviktore të shkollës së mesme në Skrapar, si dhe rinovimi dhe pajisja e ndërtesës së konviktit numër 6 në Qytetin Studenti në Tiranë.