TIRANË (AA) - Marrëveshja e arritur mes kryeministrit të Shqipërisë dhe njëkohësisht kryetarit të Partisë Socialiste (PS), Edi Rama dhe kreut të opozitës dhe kryetarit të Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, më 18 maj i hapi rrugën pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhjet e 25 qershorit të këtij viti.
Disa ditë pas arritjes së marrëveshjes pas bojkotit dhe protestës prej 3 muajsh të opozitës, filloi edhe zyrtarisht fushata elektorale e partive politike duke hapur edhe "garën" e premtimeve. Me fillimin e fushatës kanë nisur të dalin në pah dhe të prezantohen në mitingjet dhe takimet zgjedhore edhe premtimet e partive kryesore politike, pasi në këto zgjedhje mungojnë koalicionet parazgjedhore, shkruan Anadolu Agency (AA).
Partia në pushtet premton vazhdimin e kursit të reformave
Partia Socialiste e Shqipërisë e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, është partia kryesore e koalicionit aktual qeveritar, e cila është në kërkim të një mandati të dytë qeverisës me kandidat për kryeministër Ramën.
Partia Socialiste me sloganin "Për Shqipërinë që duam" gjatë takimeve elektorale në mbarë vendin ka bërë publike ambicien për të qeverisur si forcë e vetme, jo në koalicion me ndonjë parti tjetër, me synimin, sipas partisë në pushtet, për të vazhduar kursin e reformave, të filluara në mandatin e parë qeverisë, si ajo në drejtësi, ndarjes territoriale, administratës publike, arsim, zhvillimin urban, etj.
Kreu i Partisë Socialiste për Tiranën dhe ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri, në një takim me mbështetësit e PS-së në kryeqytet organizuar dy ditë më parë theksoi se PS kërkon mandat qeverisës e vetme.
Në kongresin elektoral të Partisë Socialiste të mbajtur në muajin maj, u shpalos edhe programi elektoral i saj. Në këtë program përfshihet premtimi për 220 mijë vende të reja pune, si angazhim i kësaj force politike, sidomos me fokus të rinjtë, ndërsa bujqësia sipas PS-së do vijojë të mbetet një nga degët më të rëndësishme për ekonominë, duke thelluar "mbështetjen për bujqësinë, sipërmarrësit e bujqësisë dhe punëtorët e bujqësisë".
Ndërsa premtohet se 100 për qind e ndërtimeve pa leje të legalizohen dhe të certifikohen si pronë e çdo familjeje që i disponon. Gjithashtu PS në mandatin e dytë nëse fiton zgjedhjet ka premtuar rritjen e financimeve publike për më shumë shërbime shëndetësore falas.
PS premton se 100 për qind e fëmijëve romë dhe egjiptianë do të regjistrohen në shkollë që të përfundojnë arsimin e detyruar.
Partia Demokratike e Shqipërisë, në këto zgjedhje ka prezantuar si kandidat për kryeministër, kreun e saj, Lulzim Basha, ndërsa slogani i saj është "Republika e re, ekonomi e fortë, e nesërmja e sigurtë".
Basha në mitingun e hapjes së fushatës theksoi se "Republika e re është dhe do të jetë gjithmonë republika e vlerave."
Një nga premtimet kryesore të PD-së, është anulimi i ligjit për arsimin e lartë, ligj ky i cili ka shkaktuar debate në vend, me pretendimin se "gjithmonë e më pak studentë do t’ia dalin të futen në auditorët e universiteteve e akoma më pak të gjejnë një vend pune."
Gjithashtu ka premtuar stazhe të paguara 1-vjeçare për 10 mijë studentë të sapodiplomauar çdo vit. Përsëri sa i përket arsimit PD ka bërë të ditur se do të ofrojë drekë falas për nxënësit.
Partia kryesore e opozitës ka premtuar edhe hapjen e fabrikave të reja, ndërsa rritjen e pensionit minimal në 25 mijë lek të reja në muaj.
Edhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), pjesë e koalicionit qeveritar, e drejtuar deri në fillim të majit nga kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, dhe aktualisht nga Petrit Vasili, ish-ministër i Drejtësisë, që është edhe kandidati për kryeministër i kësaj partie, ka bërë të ditur ambicien për të dalë forcë e parë në zgjedhje, ndërsa nuk i ka përjashtuar mundësitë e koalicioneve paszgjedhore.
Pjesë e programit të saj elektoral është hapja e 170 mijë vendeve të reja të punës për katër vitet e ardhshme në sektorin e bujqësisë, turizmit, infrastrukturës, industrisë, etj.
Kjo parti që ka zgjedhur sloganin "Një shans për të gjithë" ka premtuar se do të hartohet masterplani integral i investimeve në turizëm me synim investimet në zonat kulturore dhe promovimin e komplekseve agro-turistike.
Gjithashtu LSI ka premtuar përjashtimin 5 vjet nga taksat dhe tatim fitimi sipërmarrjet turistike në zonat rurale.
Sa i përket arsimit kjo parti ka premtuar se buxheti për këtë sektor do të rritet në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe pagat për arsimtarët sipas saj do të rriten me 50 për qind brenda mandatit qeverisës.
Ndërsa në fokus të programit të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) është çështja e shqiptarëve të Çamërisë, zhvillimi ekonomik i vendit dhe punësimi. Slogani i kësaj partie për zgjedhjet është "Veç një Atdhe", ndërsa aktualisht nuk ka prezantuar ndonjë kandidat për kryeministër.
Gjatë prezantimit të programit elektoral më 3 qershor, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, theksoi se duhet të bashkëpunohet me Kosovën dhe Maqedoninë, për të krijuar një treg të përbashkët për 7 milionë shqiptarë, ndërkohë që ai ka premtuar që me iniciativat e partisë që drejton do të mundësohet hapja e 100 mijë vendeve të punës.
Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri do të mbahen më 25 qershor, ndërsa do të marrin pjesë gjithsej 18 parti politike. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk ka të regjistruara koalicione parazgjedhore. Qytetarët me të drejtë vote do të votojnë për zgjedhjen e 140 deputetëve për legjislaturën e re.