Zylfije Adem Jakupi
04 Gusht 2021•Përditësim: 05 Gusht 2021
Në komunën e Malishevës në Kosovë është regjistruar viktima e parë si pasojë e zjarreve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Policia e Kosovës njoftoi se si pasojë e asfiksimit një person ka humbur jetën në fshatin Novosellë, në komunën e Malishevës.
“Viktima, një burrë nga Kosova, është sjellë në Qendrën e Mjekimit Familjar pa shenja jete. Vdekja e tij u deklarua nga ekipi mjekësor. Dyshohet se shkaku i kësaj vdekjeje ishte ajri me tym pasi viktima shkoi në hambarin që ishte përfshirë nga zjarri”, thuhet në njoftim.
Nehat Koqinaj nga Agjencia për Menaxhimin e Situatave Emergjente tha se zjarret aktualisht janë aktive në disa lokacione në komunat e Suharekës, Pejës dhe Vitisë dhe se në rrjedhë është intervenimi i zjarrfikësve. Policia po ashtu njoftoi se disa persona u ndaluan për t’u marrë në pyetje nën dyshimin për shkaktimin e zjarreve.
Në Sllatinë, pranë Fushë Kosovës, është vërejtur ndezja e fushës, kështu që policia reagoi menjëherë dhe arrestoi të dyshuarin, i cili u lirua për t'u mbrojtur në një procedurë të rregullt.
Në Gojbulja, afër Vushtrrisë, një person u arrestua nën dyshimin se i vuri zjarrin kashtës në arën e tij, i cili pas bisedës u lirua për t’u mbrojtur në liri. Në komunën e Vitisë, në fshatin Zhiti, 4 hektarë pyje janë djegur në një zjarr që ka shpërthyer për arsye të panjohura, ndërsa në fshatin Pozharen, në të njëjtën komunë, janë djegur 3 hektarë ara.
Të dy zjarret u lokalizuan dhe askush nuk u lëndua, njoftoi policia, sipas të cilës, zjarret pyjore janë lokalizuar në komunat e Istogut dhe Pejës, ndërsa në komunën e Klinës zjarri ka përfshirë edhe një shtëpi.
“Përveç dëmit material, vlera e të cilit nuk dihet, nuk ka të lënduar. Prokurori i shtetit është konsultuar në lidhje me rastin. Hetimi për këtë rast vazhdon”, njoftoi policia.
Gjithashtu në pyllin pranë Deçanit, sipërfaqja prej 30 ari u prek nga zjarri, por zjarrfikësit e shuan zjarrin.