Furkan Abdula
18 prill 2022•Përditësim: 18 prill 2022
Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, të dielën u shtrua iftar nga ana e Bashkisë Metropolitane të qytetit Bursa nga Turqia dhe Organizata Humanitare El Hilal, raporton Anadolu Agency (AA).
Në iftar morën pjesë ambasadori i Turqisë në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök, nënkryetari i Bashkisë së Bursës Süleyman Çelik, përfaqësues të komunave të Bursës dhe Çairit, deputetë nga Turqia dhe Maqedonia e Veriut, përfaqësues të institucioneve turke në vend, politikanë, si dhe të ftuar të tjerë.

Ambasadori Sekizkök, në fjalën e tij theksoi se qasja e përqafuese e Turqisë ndaj të gjithë popujve në Maqedoninë e Veriut do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme në çdo sferë.
Deputeti i AK Partisë në Bursa Refis Özen, duke përcjellë përshëndetjet e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, dhe qytetarëve të Bursës, tha se Shkupi dhe Bursa janë dy qytete të lashta ku bashkimi i zemrave vazhdon ende, sado të jenë të ndarë me kufijtë.
Nënkryetari i Bashkisë Metropolitane të Bursës, Çelik, tha se si bashki e ringjallën Ramazanin me aktivitete të ndryshme dhe duan të përhapin atmosferën shpirtërore që ndjejnë në Bursa edhe në vendet dhe qytetet simotra, ndërsa për shkak të pandemisë dy vitet e fundit nuk kanë mundur ta vazhdojnë këtë traditë.

Kryetari i Shoqatës Humanitare El Hilal, Behixhudin Shehapi, informoi se fillimisht kanë dashur të organizojnë një iftar për 800 persona në vend të hapur, por për shkak të motit kanë organizuar një iftar për 500 persona në vend të mbyllur.
Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, nga ana e tij, duke theksuar se bashkëpunimi mes dy komunave do të thellohet edhe më tej pas pandemisë, shprehu kënaqësinë për vazhdimin e traditës së iftarit.