Agim Sulaj
15 Korrik 2020•Përditësim: 15 Korrik 2020
Ka filluar ndërtimi i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, projekti i cili është në pritje për disa vite me radhë, raporton Anadolu Agency (AA).
Për ta parë nga afër fillimin e punimeve të xhamisë, ka marrë pjesë kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava me stafin e tij.
Tërnava në emër të Kryesisë së BIK-ut uroi qytetarët e Kosovës me rastin e fillimit të ndërtimit të kësaj xhamie, për të cilën falënderoi të gjithë ata që kontribuuan, duke filluar nga besimtarët, Fondacionin e Dijanetit të Turqisë, Kryesinë e BIK-ut, si dhe Komunën e Prishtinës.
"Të nderuar dhe respektuar besimtarë, në Kosovë dhe në mërgatë kudo që gjendeni më lejoni që sot nga ky vend tashmë i shenjtë t’ju uroj fillimin e punëve në ndërtimin e xhamisë qendrore këtu në Prishtinë. Lus Zotin që të na falë shëndet dhe mirëqenie që në një kohë sa më të shkurtër të përfundojnë punimet në ndërtimin e kësaj bukurosheje të Prishtinës", theksoi Tërnava.
Xhamia e Madhe në Prishtinë ka qenë një nevoje kamotshme e besimtarëve që u ka munguar për vite me radhë. Sidomos të premteve, besimtarët në Prishtinë janë parë shpesh duke u falur edhe nëpër rrugë të qytetit pranë xhamive për shkak të mbushjes së xhamive me adhurues.
Me ndërtimin e kësaj xhamie, Tërnava ka thënë para disa muajsh se "do të përfitojnë edhe xhamitë e tjera në Prishtinë të cilave do t’iu jepet më shumë hapësirë".
Gurthemeli i kësaj xhamie ishte vënë në tetor të vitit 2012 nga ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ish-kryeministri Hashim Thaçi si dhe kryemyftiu Tërnava. Kryemyftiu Tërnava kishte deklaruar se për rreth pesë vite është vonuar projekti nga Komuna e Prishtinës e cila nuk i ka dhënë BIK-ut "kushte urbanistike në mënyrë që të fillohet me përpilimin e projektit në detaje të xhamisë", ndërsa në pjesën tjetër të kohës është punuar rreth projektit të saj.
Për Xhaminë e Madhe e cila do t’i ketë katër minare dhe ndodhet përballë Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK) në Prishtinë, Tërnava në një intervistë për mediat e vendit, kishte thënë se 40 milionë euro për ndërtimin e saj janë mbledhur në xhamitë e Turqisë.