Admir Fazlagikj
09 Prill 2020•Përditësim: 10 Prill 2020
Një foshnjë katërmuajshe nga qyteti Koçani i Maqedonisë së Veriut është pranuar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup dhe ka rezultuar pozitive në koronavirusin e ri (COVID-19), konfirmoi ministri i Shëndetësisë i vendit, Venko Filipce, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç tha Filipçe sot në konferencën e rregullt për media, foshnja është në gjendje të mirë shëndetësore.
Në Maqedoninë e Veriut, gjithsej 18 fëmijë deri në moshën nëntë vjeç janë infektuar me COVID-19, tha më 6 prill epidemiologu Vladimir Mikiq nga Instituti i Shëndetit Publik. Sipas tij, pasqyra klinike është e lehtë tek të gjithë fëmijët dhe nuk ka pasur nevojë për hospitalizim të gjatë.
Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut njoftoi sot se në 24 orët e kaluara, janë regjistruar 46 raste të reja me koronavirus, duke e çuar numrin e përgjithshëm të pacientëve të diagnostikuar në vend në 663.
Deri më tani, 30 viktima janë konfirmuar në vend si rezultat i efekteve të COVID-19, kurse 37 pacientë janë shëruar.