Husamedın Gına
01 Janar 2020•Përditësim: 02 Janar 2020
Binjakët Anastasia dhe Gabriel janë foshnjat e para të lindura në vitin 2020 në Klinikën Universitare të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).
Anastasia lindi në orën 00:01 dhe peshonte 2.360 gramë, ndërsa Gabriel dy minuta më vonë, në orën 00:03, dhe peshonte 1.760 gram.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, e shoqëruar nga zv/ministri i Shëndetësisë, Armend Arsllani, dhe kreu i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, vizituan nënën e binjakëve, Snezhana Runteve, në spitalin e Shkupit.
Në një prononcim për media pas vizitës, ministrja Carovska u uroi shëndet dhe lumturi binjakëve të lindur menjëherë pas mesnate.
“Ata kanë dy fëmijë dhe vendi ynë ka plus dy fëmijë, edhe atë vetëm disa sekonda pas hyrjes në vitin 2020. Por edhe më e rëndësishme, dua të potencoj se fëmija i parë është vajzë. Pres që viti 2020 të jetë i suksesshëm, pozitiv dhe energjik për gratë”, tha Carovska.
Po ashtu edhe Arsllani dhe Shilegov u uruan shëndet binjakëve të porsalindor.
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale nënës së binjakëve i dhuroi një monedhë ari prej 6 gramësh, ndërsa Qyteti i Shkupit dhuroi nga 20 mijë denarë për binjakët.