Zylfije Adem Jakupi
08 janar 2021•Përditësim: 10 janar 2021
Kryetari i Gjykatës së Apelit të Kosovës, Hasan Shala, deklaroi se gjykata përfundoi mbi 15 mijë raste në kushte shumë të vështira në vitin 2020, që sipas tij është një performancë prej më shumë se 100 për qind, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke bërë një përmbledhje të vitit, Shala theksoi se viti i kaluar ishte i vështirë për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), prandaj gjykatat punuan me numër minimal të personelit. Ai tha se 13 gjykatës ishin të infektuar me koronavirus, si dhe 40 personel tjetër ndihmës.
Krahas kësaj, siç theksoi ai, u dha maksimumi në punë në mënyrë që të tejkalohet situata e krijuar me sa më pak pasoja.
“Viti 2020 filloi me 11.640 raste që ishin nga viti 2015 deri në vitin 2019. Në vitin 2020, kemi marrë edhe 14.290 raste, që është mbi 25.000 raste. Nga kjo, kemi përfunduar 15.044, kështu që nëse shikoni përqindjen për secilin gjyqtar, del se ne kemi përfunduar normën prej 105,8 për qind", tha Shala.
Shala theksoi se është bërë shumë në rastet civile ku është arritur një nga sukseset më të mëdha që nga themelimi i gjykatës. Sipas tij, viti filloi me 9.916 raste civile, gjatë vitit mbërritën edhe 6.599 raste, ndërsa 7.476 lëndë u përfunduan.
Kur bëhet fjalë për rastet e lidhura me korrupsionin, në vitin 2020 ka pasur 88 raste.
"Prej tyre janë zgjidhur 68, ndërsa puna vazhdon me 20. Shumica e këtyre rasteve mbërritën në fund të vitit. Lidhur me formën, si paneli vendosi në ato raste, 37 u konfirmuan, 21 aktgjykime u anuluan dhe u kthyen për rigjykim, ndërsa 7 ishin të dyshimta”, tha Shala.
Ai deklaroi se vonesa në punë ishte për shkak të mungesës së gjyqtarëve, sepse Gjykata e Apelit humbi 8 gjyqtarë në vitin 2020, gjashtë prej tyre shkuan në pension, ndërsa dy shkuan në Gjykatën e Lartë. Ndryshe në vitin 2019, ka pasur një kërkesë për të rritur numrin e gjyqtarëve nga 52 në 62, gjë që, siç shtoi ai, ishte lënë pas dore nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Shala deklaroi se pa gjyqtarë nuk ka efikasitet dhe cilësi në punën e gjykatës dhe ai bëri thirrje për të përmbushur kërkesat për të rritur numrin e gjyqtarëve.