Agim Sulaj
29 Dhjetor 2020•Përditësim: 30 Dhjetor 2020
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të dytë projekt-ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2021, transmeton Anadolu Agency (AA).
Për miratimin e këtij projekt-ligji 85 deputetë votuan në favor, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, me çka u miratua projekt-ligji me procedurë të shpejtë.
Para votimit, projekt-ligji ishte plotësuar edhe me amendamente shtesë pas të cilave edhe deputetët e opozitës nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) votuan në favor.
Projekt-buxheti i vitit 2021, i cili përfshinë 2.4 miliardë euro, u miratua në lexim të parë dje me 64 vota.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, tha se projekt-buxheti trajton dy prioritete kryesore, që janë përballja me sukses me pandeminë dhe krijimi i kushteve për rimëkëmbje ekonomike.
Sipas ministres, buxheti është i dobët për vitin e ardhshëm, me rënie në të hyra prej 300 milionë eurove për shkak të efekteve të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).