Agim Sulaj
22 Mars 2021•Përditësim: 23 Mars 2021
Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se 16 persona të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) kanë vdekur në 24 orët e fundit, duke çuar numrin e përgjithshëm të viktimave nga ky virus në 1.776, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) edhe 827 raste të reja janë diagnostikuar pozitiv me koronavirus, derisa numri i tyre ka shkuar në gjithsej 83.012 raste.
Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratoret private janë testuar gjithsej 5.049 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga fillimi deri më tani janë testuar gjithsej 389.791 mostra.
Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 518 pacientë të rinj, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka shkuar në gjithsej 68.601 raste, kurse numri i rasteve aktive është 12.635.