Agim Sulaj
16 Dhjetor 2020•Përditësim: 17 Dhjetor 2020
Autoritetet shëndetësore në Kosovë brenda 24 orëve të fundit kanë regjistruar 5 viktima nga koronavirusi i ri (COVID-19), duke e çuar në 1.225 numrin e përgjithshëm të të vdekurve nga ky virus në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), 296 raste të reja janë diagnostikuar pozitiv me koronavirus, me çka numri i tyre i përgjithshëm ka shkuar në 47.499.
Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratoret private janë testuar gjithsej 1.158 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga 8 shkurti deri më tani janë testuar gjithsej 166.741 mostra.
Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat njoftojnë për 319 pacientë të tjerë të shëruar nga virusi, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka arritur në 34.956 raste.
Aktualisht në Kosovë numri i rasteve aktive me COVID-19 është 11.318.