Kosovë, EULEX-i arreston krerët e organizatës së veteranëve të luftës
Pas një bastisjeje, pjesëtarët e EULEX-it kanë nxjerrë nga zyra e tij kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatin dhe e kanë arrestuar, ndërsa më vonë gjatë ditës është arrestuar edhe nënkryetari Nasim Haradinaj
Agim Sulaj
25 shtator 2020•Përditësim: 26 shtator 2020
Prishtinë
Pjesëtarë të misionit ndërkombëtar të drejtësisë EULEX, kanë bastisur sot në mesditë zyrën qendrore të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), me ç’rast kanë arrestuar kreun e kësaj organizate, Hysni Gucati, transmeton Anadolu Agency (AA).
Lajmin lidhur me arrestimin e Gucatit e ka konfirmuar edhe avokati i OVL të UÇK-së, Tom Gashi nëpërmjet rrjeteve sociale.
“Tani u arrestua nga policia e EULEX-it kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati dhe do të transferohet në Hagë”, ka shkruar Gashi.
Më herët, sekretari i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku në një deklarim për media tha se bastisja po ndodh pa asnjë paralajmërim nga ana e autoritetit ndërkombëtar të drejtësisë.
“Isha në zyre, këta zotërinj nuk prezantuan letër për bastisje. Nëse shteti jonë nuk merr masa ndaj këtyre kriminelëve do të na duhet të luftojmë sikurse me Jugosllavinë”, tha Klinaku. Klinaku tha se i tërë korridori ishte mbushur me policë të EULEX-it ndërsa është kontrolluar çdo hapësirë e zyrës së kësaj organizate.
“Janë duke e kontrolluar të gjithë objektin. Për, Gjykatën Speciale ne nuk japim përgjegjësi sepse këta vetë janë duke i bërë këto skandale”, tha Klinaku.
Arrestimin e Gucatit përmes një njoftimi e konfirmuan edhe nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ku thuhet se për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës.
OVL e UÇK-së ka thënë dy herë gjatë muajit shtator se ka pranuar material (dosje) që kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë, gjykatë të cilën kjo organizatë nuk e njeh. Por, përfaqësues të saj kanë thënë se nuk kanë arritur t’i identifikojnë personat që i kanë dorëzuar këto dokumente.
“Sot, rreth orës 15:30 kanë sjellë dokumente dhe kanë ikur me shpejtësi të madhe. Nuk kemi arritur t’i identifikojmë”, tha kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, në një konferencë për media më 16 shtator, duke u bërë thirrje organeve të hetuesisë në Kosovë që të merren me këtë rast dhe t’i identifikojnë personat në fjalë.
Kjo bastisje nga EULEX-i vjen një ditë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar apo Gjykata Speciale zhvilloi arrestimin e parë të Salih Mustafës, i akuzuar për krime lufte. EULEX-i ka mandat që t’u ndihmojë Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me mbështetje logjistike dhe operacionale në pajtueshmëri me legjislacionin e Kosovës.
Arrestohet edhe nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj
Përpos kryetarit të OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, EULEX në orët e pasditës së sotme ka arrestuar edhe nënkryetarin e kësaj organizate, Nasim Haradinaj.
Ai është arrestuar gjatë hyrjes në një televizion privan në Prishtinë, ku ishte ftuar në një emision.
Ndërkohë, bëhet e ditur se misioni ndërkombëtar për drejtësi EULEX ka përfunduar bastisjet në zyrën qendrore të OVL të UÇK-së në Prishtinë, që kanë zgjatur për rreth 8 orë.