Agim Sulaj
13 Tetor 2022•Përditësim: 14 Tetor 2022
Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka zhvilluar takim në Qeverinë e Kosovës me kryeministrin Albin Kurti, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në takim u bisedua për ecurinë e mëtejshme të procesit të bisedimeve në Bruksel dhe për përgatitjet për takimet e radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, e cila sjell normalizim të plotë “sepse e ka në qendër njohjen reciproke”.
“Gjatë takimit u potencua Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, i pranuar dje, si dukshëm më i mirë sesa vitin e kaluar dhe si një ndër raportet më të mira në rajon. U tha se ky raport tregon qartë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për agjendën e BE-së dhe dëshmon arritjet e shënuara në shumë fusha, që kanë kaluar një hap më lart në shkallët e progresit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Gjithashtu në takimin e Kurtit me Lajçak është biseduar edhe për domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes për energjinë, që përfundimisht shpie në pagesën e energjisë elektrike në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Emisari Lajçak për herë të fundit ka qenë në Kosovë më 15 shtator.
Ndërkohë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka paralajmëruar për një takim të mundshëm në tetor mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq në Bruksel, derisa nuk ka dhënë datë se kur do të mund të ndodhë një takim i nivelit të lartë.
Për dialogun Kosovë-Serbi, gjatë kësaj jave kryeministri Kurti ka biseduar nëpërmjet telefonit edhe me sekretarin amerikan, Antony Blinken, i cili po ashtu për këtë temë diskutoi edhe me presidentin serb Vuçiq.