Agim Sulaj
28 Dhjetor 2020•Përditësim: 29 Dhjetor 2020
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të parë projekt-buxhetin për vitin 2021 që përfshinë një buxhet prej 2 miliardë e 412 milionë euro, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, tha se projekt-buxheti trajton dy prioritete kryesore, që janë përballja me sukses me pandeminë dhe krijimi i kushteve për rimëkëmbje ekonomike. Ajo theksoi se buxheti është i dobët për vitin e ardhshëm, me rënie në të hyra prej 300 milionë eurove për shkak të efekteve të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).
“Pas një rënie që kemi vlerësuar se do të jetë 6,7 për qind, në vitin 2021 kemi paraparë rritje ekonomike prej 5,2 për qind”, ka theksuar Bajrami, duke shtuar se në një situatë të tillë nuk mund të premtohet rritje e pagave për policët, mjekët e zjarrfikësit, pasi do të ishte “gënjeshtër e madhe”.
Para miratimit të këtij projekt-buxheti, i cili kaloi me 64 vota, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, votimit i ka paraprirë një debat nga deputetët.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, tha se duke pasur parasysh situatën jo të mirë ekonomike, është e nevojshme të votohet buxheti.
Gashi tha se deputetët duhet të japin sinjalin e bashkimit dhe të qojnë mesazhin që për interesa shtetërore i kalojnë interesat grupore.
“Vota për buxhetin emergjent sot është një hap i vogël për tejkalimin e krizave. Ne jemi të vetëdijshëm që në klimën që është krijuar vështirë që do të ketë fitues edhe humbës edhe pas zgjedhjeve. Vota kundër buxhetit sot është votë kundër shtetit të Kosovës”, theksoi ai.
Partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka kundërshtuar votimin e projekt-buxhetit për vitin 2021.
Shefi i Grupit Parlamentar nga kjo parti, Liburn Aliu, tha se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, nuk është legjitime dhe nuk ka të drejtë të sjellë në Kuvend projekt-ligje të tilla.
“Projekt-ligjin për buxhet po e thërrisni ju e jo qeveria, kjo pasi qeveria është jo-legjitime. Kjo qeveri e cila ka problem me numra e ju po përpiqeni të sillni diçka shumë shpejt. Ju nuk keni të drejtë të sillni projekt-buxhet, këtu është ulur buxheti për shëndetësi e arsim, kurse keni shtuar infrastrukturë, në anën tjetër jemi në krizë,” shtoi Aliu.
Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila po ashtu është në opozitë, deklaruan se do ta votojnë buxhetin, për të mirën e qytetarëve.
“Do ta votojmë buxhetin që arsimtarët, pensionistët, policët, ushtarët, kategoritë e dala nga lufta të mos dëmtohen nga vonesat”, tha shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Bedri Hamza.
Hamza tha se vërejtjet e tyre lidhen me atë se Qeveria e ka zvogëluar buxhetin për shëndetësi, arsim, siguri dhe kulturë, ndërsa e ka rritur atë vetëm në infrastrukturë.
Projekt-ligji për ndarjen buxhetore për vitin 2021 do të votohet në lexim të dytë nesër, ku pritet të miratohet me amendamente shtesë.