Dzihat Aliju
28 Prill 2022•Përditësim: 29 Prill 2022
Në Prishtinë është formuar Klubi i Shigjetarisë Tradicionale, njofton Instituti "Yunus Emre", transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e institutit, bëhet e ditur se Vahide Spanca, Granit Bajrami dhe Vedat Rustemi pjesëmarrës të Kurseve të Shigjetarisë Tradicionale të organizuar në bashkëpunim nga Fondacioni i Shigjetarisë dhe Institutit "Yunus Emre" në Prishtinë, për ta çuar më tutje këtë sport, kanë përfunduar themelimin e klubit dhe kanë arritur sukses të formojnë Klubin e dytë të Shigjetarisë Tradicionale në vend.
Më tej në njoftim rikujtohet se kurset e shigjetarisë turke për herë të parë në vend filluan në qershor të vitit 2021.
Granit Bajrami, deklaratat e të cilit janë përfshirë në njoftimin e institutit, tha se aplikimi i tyre në Ministrinë e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Inovacionit të Kosovës është pranuar, duke shtuar se më 21 prill 2022 është lëshuar dhe dorëzuar licencë për Klub Tradicional të Shigjetarisë.
"Jemi të lumtur. Falënderojmë Institutin Yunus Emre dhe Fondacionin e Shigjetarisë për mbështetjet dhe nismat pionere", tha ai.
Koordinatori i Institutit Yunues Emre në Kosovë, Mehmet Ülker, themelimin e klubit të dytë sportiv që do të organizojë kurse të shigjetarisë tradicionale turke në Kosovë e cilësoi si një zhvillim me rëndësi historike.
Sipas tij, iniciativa do të kontribuojë në zhvillimin e sportistëve në fushat e Shigjetarisë Tradicionale Turke dhe të shigjetarisë si dhe në përfaqësimin e Kosovës në garat kombëtare dhe ndërkombëtare.
"Do të kontribuojë në zhvillimin e individëve të shëndetshëm shpirtërisht dhe fizikisht. Ky klub sportiv prezanton qasjet e kulturës dhe zhvillimit nga një tjetër aspekt, me një shembull shumëdimensional dhe unik. Dëshiroj t'i përgëzoj për këtë nismë domethënëse dhe suksesin që kanë arritur arkitektët e themelimit të këtij klubi", u shpreh Ülker.
Ai shtoi se pjesë e kurseve në 4 qytete të Kosovës në vitin 2021 kanë qenë rreth 480 persona, duke shtuar se në vitin 2022 planifikojnë të hapin 6 qendra kursesh dhe të ngritin në një mijë numrin e kursantëve në 10 qendra të kursit.