Agim Sulaj
19 gusht 2026•Përditësim: 19 gusht 2026
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim shefin e ri të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti e uroi Lopes-in për detyrën e re dhe i dëshiroi sukses në ushtrimin e mandatit, si dhe falënderoi EULEX-in për kontributin e vazhdueshëm në Kosovë, në veçanti për monitorimin e sistemit të drejtësisë, mbështetjen për forcimin e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimin me institucionet e Republikës së Kosovës.
“Në takim u diskutua për rëndësinë e vazhdimit të monitorimit të performancës së institucioneve të drejtësisë, si dhe për trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Kryeministri shprehu mirënjohje për kontributin dhe monitorimin e EULEX-it në këtë fushë, duke nënvizuar nevojën për reagim të shpejtë dhe të koordinuar ndërmjet Policisë, Prokurorisë, gjykatave dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, me prioritet mbrojtjen e viktimave”, thuhet në njoftim.
Më tej, thuhet se një pjesë e takimit iu kushtua edhe situatës së sigurisë dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës, EULEX-it dhe partnerëve ndërkombëtarë. Kurti theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm, shkëmbimit të informatave dhe vëmendjes së shtuar ndaj rreziqeve të sigurisë, përfshirë mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
Kurti gjithashtu rikonfirmoi përkushtimin e qeverisë për fuqizimin e institucioneve të sundimit të ligjit dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë dhe konstruktiv me EULEX-in gjatë mandatit të Lopes-it.