Saimir Alija
07 Tetor 2019•Përditësim: 08 Tetor 2019
Nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë u zhvillua një tryezë diskutimi me fokus çështjet e arsimit të lartë e kërkimit shkencor dhe marrëveshjet e bashkëpunimit midis Kuvendit dhe universiteteve, raporton Anadolu Agency (AA).
Në takimin ku ishin të pranishëm rektorë, deputetë, pedagogë, studiues dhe ekspertë të fushës së arsimit, mbajti një fjalë përshëndetëse kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, i cili tha se institucionet kanë obligime për sistemin arsimor, por edhe ndaj studentëve shqiptarë.
"Unë jam i vetëdijshëm se Kuvendi dhe qeveria i detyrohen shumë universitetit, por edhe studentëve. Financimet shkencore nuk janë përmbushur siç duhet për shkak të mungesës së burimeve financiare. Pozitive është që qeveria gjatë këtij viti ka treguar një ndjeshmëri shumë të lartë për çështjet e arsimit të lartë, të universiteteve, kërkimit shkencor dhe veçanërisht studentëve", u shpreh Ruçi.
Sipas tij, një vit pas nisjes së bashkëpunimit, kontributi i universiteteve, akademikëve dhe studiueseve në funksion të hartimit të ligjeve është rritur.
"Ky kontribut ka përmirësuar edhe më tej cilësinë e akteve ligjore të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë. Shumë nga propozimet e akademikëve, rektorëve të universiteteve janë marrë në konsideratë nga komisionet dhe seancat e Kuvendit", tha Ruçi.
Gjatë takimit u diskutua edhe për çështjet e arsimit të lartë e kërkimit shkencor dhe bashkëpunimin për realizimin e aktiviteteve.