Dzihat Aliju
30 Maj 2022•Përditësim: 31 Maj 2022
Është lokalizuar zjarri që shpërtheu mëngjesin e sotëm në ish-fabrikën "Makedonija Tabak" në Tetovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për gazetarët, Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, uroi që të mos ndodhin fatkeqësi të tilla në të ardhmen.
"Bëhet fjalë për një fabrikë e cila përpunon materiale me bazë të derivateve të naftës dhe përpunimin e stiropollit. Kjo është një materie shumë e rrezikshme me djegie shumë të lartë", tha ai duke shtuar se që nga momenti i parë është intervenuar me njësitë kundër zjarrit.
"Deri tash veçmë e kemi lokalizuar zjarrin por i njëjti vazhdon të digjet, por nuk ka rrezik për zgjerim të tij", shtoi Kasami.
Ai informoi se kryetarët e komunave tjera në mbarë vendin kanë ofruar ndihma, ndërsa njësitë kundër zjarrit të Gostivarit, Kumanovës, Shkupit dhe Kavadarit gjithashtu kanë marrë pjesë në aktivitetet e shuarjes së zjarrit.
"Është një situatë të cilën besoj që kemi arritur ta menaxhojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Edhe përkundër faktit që dëmet materiale sipas bisedës me pronarët janë të konsiderueshme, fatmirësi është që nuk kemi dëme në njerëz", tha ai.
Kasami bëri të ditur se nuk ka ndonjë informatë zyrtare për shkakun e zjarrit, ndonëse supozohet se mund të ketë qenë nga reshjet e mëdha të shiut që kanë kapluar rajonin në dy ditët e fundit dhe nga ndonjë kontakti i shkurt i rrymës elektrike.
Duke folur për stacionin e matjes së ndotjes, ai tha se pas intervenimeve të bëra stacioni është aktiv dhe se të gjitha parametrat janë në kuadër të asaj që është e lejuar.
"Nuk ka rrezik për ndotje që mund të paraqet rrezik për jetën dhe shëndetin e qytetarëve dhe këtu, të bëj ftese për të gjitha shkollat fillore dhe të mesme, që nga dita e nesërme të vazhdojnë me procesin arsimor", u shpreh Kasami.
Komuna e Tetovës më parë kishte marrë vendim që sot dhe nesër të ndërpritet procesi edukativo-arsimor për shkak të situatës së krijuar pas zjarrit që ka shpërthyer në qytet.
Kryetari i Komunës së Tetovës, ndër të tjera theksoi se kanë dërguar zyrtarisht deri tek qeveria që të shpallet gjendje e krizës natyrore për komunën e Tetovës për dy rastet, gjegjësisht vërshimet e fundjavës dhe zjarri i sotëm.
"Përdorëm helikopterin kur vlerësuam se mund të ndihmonte në prerjen e vijës së zjarrit"
Drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave, Stojançe Angelov, nga ana tjetër theksoi se që nga përhapja e zjarrit, kanë kërkuar mbështetje nga Ministria e Brendshme me një helikopter që është në gjendje të shuajë zjarret.
"Ne përdorëm helikopterin kur vlerësuam se mund të ndihmonte në prerjen e vijës së zjarrit për të vazhduar përhapjen e tij", tha Angelov.
Ai deklaroi se përkrahje kanë kërkuar edhe nga ushtria, përveç ushtarëve nga kazerma e Tetovës, janë ftuar edhe ekipi i mbrojtjes biologjike radiologjike-kimike.
Zjarri shpërtheu në orët e mëngjesit në ish-fabrikën "Makedonija Tabak" në dalje të qytetit në drejtim të Shkupit, e cila përdorej si depo.
Në shuarjen e zjarrit përveç njësitë e zjarrit nga toka dhanë mbështetjen gjithashtu edhe helikopterë nga Ministria e Brendshme edhe ushtria.