Admir Fazlagikj
20 Shtator 2020•Përditësim: 21 Shtator 2020
Në një aksion të policisë në fshatrat Llojan dhe Vaksincë të Kumanovës u zbuluan gjithsej 28 migrantë ndërsa 3 persona u arrestuan, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë së Veriut njoftoi se në orët e hershme të mëngjesit nga Qendra Rajonale për Çështjet e Kufirit në Veri, në bashkëpunim me Njësinë e Vendosjes së Shpejtë dhe Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) Kumanovë, me një urdhër të lëshuar nga Gjykata Themelore në Kumanovë është kryer bastisje në dy shtëpi në fshatrat Llojan dhe Vaksincë, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale "kontrabandë me migrantë".
"Gjatë bastisjes në shtëpinë dhe hapësirat ndihmëse në pronësi të personit L.A. (66) në fshatin Vaksincë u zbuluan 10 migrantë nga Bangladeshi. Për shkak të kësaj u arrestuan L.A. dhe FA (27) nga fshati Vaksincë. Ndërsa në fshatin Llojan gjatë bastisjes në shtëpinë dhe hapësirat ndihmëse në pronësi të A.A. (48) janë zbuluar gjithsej 18 migrantë, nga të cilët 16 nga Pakistani dhe 2 nga Afganistani, përfshirë 4 të mitur. Lidhur me ngjarjen personi Z.A. (53) nga fshati Llojan është arrestuar", thuhet në njoftimin e MPB-së.
Më tej thuhet se gjatë ditës së sotme personat e arrestuar do të nxirren para gjykatës ndërsa migrantët do të transferohen në Qendrën e pritjes "Vinojug" në Gjevgjeli.
Deri tek Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër personave do të ngriten kallëzime përkatëse për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale "kontrabandë me migrantë".