Admir Fazlagikj
22 Mars 2021•Përditësim: 22 Mars 2021
Në Maqedoninë e Veriut nga nesër do të vazhdojë të vlejë ora policore nga ora 22:00 deri në 05:00 ditën e ardhshme, transmeton Anadolu Agency (AA).
Informacioni u njoftua nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Ministria e Shëndetësisë informon se nga nesër vazhdon ndalimi i lëvizjes nga ora 22:00 deri në 05:00 të mëngjesit. Në ditët në vijim, Komisioni për Sëmundjet Infektive në përputhje me analizat epidemiologjike do të përcaktojë nëse nevojiten masa shtesë kufizuese, për të cilat opinioni do të informohet në kohën e duhur", thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ministria e Shëndetësisë u bën apel qytetarëve që të respektojnë masat shëndetësore dhe protokollet për mbrojtje nga COVID-19.
Më 9 mars, në një seancë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, u mor vendim për të zbatuar orë policore për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, që zgjat nga 22:00 deri në 05:00.
Siç u njoftua, analiza e Komisionit përcaktoi që për shkak të mosrespektimit të masave, do të ketë raste të reja të të infektuarve por edhe rritje të numrit të të hospitalizuarve, prandaj Komisioni beson se një masë e tillë rigoroze do të ketë efekt.
Ora policore për herë të parë u zbatua në vend në muajin mars të vitit të kaluar, në kohë të ndryshme, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe më 27 maj, si pjesë e masave lehtësuese, u mor një vendim për ta shfuqizuar atë.
Sipas raporteve më të fundit të institucioneve shëndetësore, që nga fillimi i epidemisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë regjistruar gjithsej 119.378 raste të COVID-19, numri i vdekjeve është 3.473, ndërsa numri i rasteve aktive është 15.131.