Agim Sulaj
27 Dhjetor 2023•Përditësim: 28 Dhjetor 2023
Është mbajtur në Prishtinë paneli “Historia e Shkencës në Islam: Prof. Dr. Fuat Sezgin”, raporton Anadolu.
Organizuar nga Kolegji Ndërkombëtar “Universum” bashkë me Fondacionin e Studimeve të Historisë së Shkencave Islame Prof. Dr. Fuat Sezgin dhe Universitetin turk Kırıkkale, paneli u zhvillua në kampusin e Kolegjit “Universum” në periferi të Prishtinës.
Në këtë panel bënë prezantime anëtari i Bordit të Fondacionit të Studimeve të Historisë së Shkencave Islame Prof. Dr. Fuat Sezgin, Necmeddin Bilal Erdoğan, kryetari i bordit të fondacionit, Mecit Çetinkaya, dhe rektori i Universitetit Kırıkkale, profesor Ersan Aslan.
Në kuadër të aktivitetit nga Kolegji Universum u mbajt edhe një ceremoni, ku Necmeddin Bilal Erdoğan u nderua me çmimin "Global Leadership".
Po ashtu, në këtë organizim u nënshkrua edhe një memorandum mirëkuptimi ndërmjet Fondacionit të Studimeve të Historisë së Shkencave Islame Prof. Dr. Fuat Sezgin dhe Kolegjit Universum.
Në një deklaratë për gazetarët, Erdoğan tha se pas ngjarjeve që kanë mbajtur dje në Shkup, sot kanë ardhur në Kosovë për të organizuar ngjarje të ngjashme me bashkatdhetarët e tyre.
“Ne po takojmë bashkatdhetarët tanë këtu, miqtë tanë të dashur. Unë nuk kam qenë për një kohë të gjatë në këtë rajon, të them të drejtën, edhe presidenti i fondacionit dhe drejtori ynë dëshirojnë të zhvillojnë bashkëpunim me institucionet këtu. Shpresoj se do të bashkohemi me vëllezërit dhe motrat tona që kanë studiuar në universitet në Türkiye dhe tani vazhdojnë jetën e tyre në Prizren. Jam shumë i lumtur që jam në Kosovë, e cila është pjesë e gjeografisë sonë të zemrës, ku ndihemi shumë afër dhe ku ndihemi gjithmonë si në shtëpinë tonë. Dëshiroj të falënderoj të gjitha institucionet dhe organizatat që na ftuan dhe na pritën”, theksoi Erdogan.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe ambasadori i Türkiyes në Prishtinë, Sabri Tunç Angılı, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, akademikë, studentë dhe të ftuar të tjerë.