Fatjon Cuka
06 maj 2019•Përditësim: 07 maj 2019
Presidenti i Shqipërisë dhe ai i Kosovës, Ilir Meta dhe Hashim Thaçi, kanë kandidatin fitues në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, Stevo Pendarovski, transmeton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Meta ka uruar Pendarovskin për fitoren e zgjedhjeve presidenciale në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale.
“Besimplotë për bashkëpunimin e shkëlqyer në të ardhmen, jo vetëm midis dy vendeve tona, por dhe për forcimin e perspektivës euroatlantike të rajonit. Shpresoj të takohemi së shpejti", ka shkruar Meta.
Ndërkaq, nga zyra e presidentit të Kosovës, thuhet se Thaçi në letrën dërguar Pendarovskit ka përgëzuar “edhe subjektet politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut”, të cilat sipas tij, u dëshmuan konstruktive duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive në këtë proces zgjedhor.
“Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë lidhje të përzemërta dhe themele të forta, që mbështeten në dëshirën e përbashkët për të nxitur bashkëpunimin reciprok në të gjitha fushat”, ka shkruar Thaçi.
Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) të Maqedonisë së Veriut, kandidati për president Stevo Pendarovski, kryeson me 51,66 për qind të votave kundrejt kandidates Gordana Siljanovska-Davkova, e cila ka grumbulluar 44,73 për qind të votave gjatë rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale.