Agim Sulaj
16 Dhjetor 2021•Përditësim: 16 Dhjetor 2021
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla-Schwarz po qëndron për vizitë në Luginën e Preshevës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ndonëse ditën e djeshme ajo nuk u lejua të hyjë në këtë pjesë të Serbisë e cila është e banuar me shumicë shqiptare, Gërvalla tha se ndihet e privilegjuar për takimet me përfaqësuesit institucional dhe qytetarët e komunave të Luginës.
Gjatë ditës së sotme ajo është pritur nga kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, i cili nëpërmjet rrjeteve sociale, bëri të ditur se e ka njoftuar ministren kosovare me gjendjen politike, sociale dhe ekonomike të qytetarëve të Bujanocit.
“Ministren Gërvalla e njoftova me gjendjen politike, sociale e ekonomike të qytetarëve tanë si dhe diskriminimin e vazhdueshëm nga Qeveria qendrore në arsim, zhvillim ekonomik, shëndetësi, me theks të veçantë pasivizimin e adresave të shqiptarëve si dhe mosnjohja e diplomave të fituara në Universitetet e Republikës së Kosovës”, shkroi Arifi.
Kryetari Arifi shtoi se me ministren janë dakorduar “që bashkëpunimi të vazhdojë edhe në të ardhmen deri në gjetjen e zgjidhjes së problemeve”.
Para fillimit të nisjes së vizitës, ministrja Gërvalla e cila shkroi se po e nisë këtë vizitë “me një ditë vonesë”, tha se përpos përfaqësuesve institucional të Luginës së Preshevës, do të takojë nga afër edhe qytetarët e këtij vendi për të folur dhe për të parë nga afër mundësitë e thellimit të bashkëpunimit.
Gërvalla-Schwarz theksoi se përpos Arifit, do të takohet gjatë ditës edhe me kryetaren e Preshevës Ardita Sinani, me deputetë, përfaqësues të partive politike shqiptare si dhe me studentë.