Furkan Abdula
28 Shkurt 2023•Përditësim: 01 Mars 2023
Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska, filloi vizitën e saj zyrtare në Republikën Çeke, transmeton Anadolu.
Gjatë vizitës ajo u prit me nderime të larta ushtarake, ndërsa pati një takim me ministren çeke të Mbrojtjes, Jana Chernochova.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, dy ministret u pajtuan se Marrëveshja e nënshkruar së fundmi për remontin e helikopterëve ndërmjet dy qeverive do të forcojë dhe intensifikojë bashkëpunimin dypalësh dhe atë të mbrojtjes ndërmjet shteteve.
"Marrëvesha e arritur së fundmi për remontin e dy helikopterëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut është edhe një dëshmi për intensifikimin e bashkëpunimit tonë në mbrojtje, por edhe për afërsinë tonë në Aleancë", tha Petrovska.
Në takim, duke e vlerësuar bashkëpunimin bilateral me Çekinë si të shkëlqyer, Petrovska theksoi se Çekia nuk është vetëm aleate e ngushtë e NATO-s e Maqedonisë së Veriut, por edhe mbështetëse e zëshme e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
"Republika Çeke është mbështetëse e vazhdueshme dhe e zëshme e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe ne jemi mirënjohës për këtë dhe llogarisim në mbështetjen çeke edhe në të ardhmen", theksoi Petrovska.
Sipas saj, integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera nga Ballkani Perëndimor do t'i japë një impuls pozitiv edhe sigurisë së rajonit.
"Realiteti aktual gjeopolitik imponon nevojën për përshpejtimin dhe nxitjen e dinamikave të reja në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera nga Ballkani Perëndimor, sepse ndikimet negative në Ballkan do të zbuten dhe në të njëjtën kohë do të krijohen kushte më të favorshme për zgjidhjen e çështjeve të hapura", shtoi Petrovska.
Gjatë vizitës së saj, ministrja Petrovska vizitoi Kuvendin e Çekisë, ku u takua me kryetarin e Komisionit të Mbrojtjes të Republikës Çeke, Lubomir Metnar.
Ministrja Petrovska sot pasdite do të vizitojë Institutin e Riparimit të Aviacionit- LOM, ku në bazë të marrëveshjes Qeveri me Qeveri (G2G) të nënshkruar dhjetorin e kaluar, në periudhën e ardhshme do të rinovohen dy helikopterë Mi-8MT.