Fatjon Cuka
07 Mars 2019•Përditësim: 07 Mars 2019
Në Shqipëri sot shënohet 7 Marsi, Dita e Mësuesit, ku institucionet arsimore në vend organizojnë aktivitete të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme kanë uruar mësuesit e tyre duke ju dhuruar edhe buqeta me lule, ndërsa nuk kanë munguar edhe dhurata të tjera.
Një atmosferë festive me rastin e kësaj dite është krijuar edhe në shkollën 9-vjeçare “Kosova” në Tiranë, ku mësuesit e saj kanë marrë dhurata dhe mesazhe urimi nga nxënës dhe prindër.
Edhe në institucionet e tjera arsimore të vendit janë organizuar aktivitete kushtuar mësuesve.
Ndërkohë mesazhe urimi për 7 Marsin kanë përcjellë zyrtarë të lartë të vendit, si presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryeministri Edi Rama, dhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini.
Presidenti Meta në rrjetet sociale shkruan: “Nderim përjetë, respekt dhe mirënjohje ndaj veprës tuaj të ndritur dhe suksese në misionin fisnik të përçimit të dijes dhe vlerave qytetare e atdhetare”.
Ndërsa edhe ministrja Shahini ka publikuar një mesazh urimi për mësuesit në rrjetet sociale.
“Po ju drejtohem për t’ju falënderuar për punën që bëni me shumë përkushtim dhe për sakrificën e madhe të përditshme që bëni për arsimimin e brezave të rinj. Dua veçanërisht të falënderoj mësuesit e klasave kolektive, mësuesit ndihmës që luajnë një rol të jashtëzakonshëm në jetën e fëmijëve me nevoja të veçanta, për të cilët ne duam që të arrijnë potencialin maksimal brenda sistemit arsimor shqiptar”, theksohet në mesazhin e Shahinit.
Dita e Mësuesit në Shqipëri, dedikuar mësuesve dhe stafeve akademike në vend, përkon me hapjen e shkollës së parë shqipe, më 7 mars 1887 në qytetin e Korçës.