Agim Sulaj
19 Maj 2026•Përditësim: 19 Maj 2026
Në Prishtinë po mbahet Forumi Itali-Kosovë për Agrobiznes, ngjarje e cila është organizuar me qëllim forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, me fokus të veçantë sektorin e agrobiznesit, raporton Anadolu.
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha se sektori agroushqimor italian është ndër më të fortët në Evropë dhe Italia është një ndër partnerët më të rëndësishëm ekonomik të Kosovës.
Ai tha se Kosova ofron stabilitet makroekonomik dhe kushte të favorshme për investime, duke theksuar potencialin edhe të këtij forumi për krijimin e partneriteteve konkrete.
"Kosova sot ofron stabilitet makroekonomik, sistem financiar e fiskal të qëndrueshëm, taksa konkurruese dhe një mjedis gjithnjë e më të favorshëm për investime. Në vitet e fundit kemi rritur eksportet, kemi përmirësuar klimën e të bërit biznes dhe kemi tërhequr investime të reja. Por, mbi të gjitha, Kosova ka energjinë e njerëzve të saj si një popullsi e re, dinamike dhe sipërmarrëse, e cila kërkon partneritete serioze dhe afatgjata. Prandaj dhe ky forum ka rëndësi të veçantë e potencial të madh për të dhënë fryte", theksoi Kurti.
Ai shtoi se takimet biznes me biznes do të krijojnë mundësi të reja bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila tha se pjesëmarrja e sipërmarrësve italianë dhe përfaqësuesve të sektorit agro-ushqimor dëshmon interesimin për partneritete afatgjata ekonomike.
"Vetëm gjatë vitit 2025 eksportet e Kosovës drejt Italisë kanë arritur vlerën prej 29 milionë euro ndërsa importet nga Italia kanë tejkaluar shifrën 369 milionë euro. Struktura e shkëmbimeve tona tregtare tregon një potencial të madh për zgjerim në veçanti në sektorin e agroushqimit", theksoi Kusari-Lila.
Ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini tha se forumi dëshmon përkushtimin e dy vendeve për forcimin e partneritetit ekonomik dhe tregtar. Ai tha se më shumë se një ngjarje e thjeshtë tregtare, forumi pasqyron vullnetin konkret të Italisë dhe Kosovës për të forcuar një partneritet strategjik të bazuar në besim, bashkëpunim dhe një vizion të përbashkët për rritje të qëndrueshme.
"Bujqësia përfaqëson prej kohësh një nga shtyllat e vlerave, traditave dhe identitetit ekonomik italian. Pasuria dhe larmia e trashëgimisë sonë bujqësore, të kombinuara me kapacitetin e transformimit industrial dhe me ekselencën e zinxhirëve tanë prodhues, e bëjnë sektorin agro-ushqimor italian një nga më të strukturuarit, konkurruesit dhe më të vlerësuarit në botë", tha ambasadori italian.
Antonini tha se në vitin 2025, Italia u konfirmua si furnizuesi i katërt dhe një nga partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës. Ai tha se produktet ushqimore, pijet dhe duhani përfaqësojnë kategorinë kryesore të eksportit italian drejt Kosovës, me një vlerë prej 78 milionë eurosh dhe një pjesë prej 31.5 për qind të totalit.