Agim Sulaj
23 Shtator 2020•Përditësim: 24 Shtator 2020
Me moton “Jam njeri, s’jam rob”, “Edhe sa thirrje të humbura”, “Gjyqësor Kanunor” e ”Poshtë Patriarkati“, grupi joformal “Replikë” dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë protestuar në kërkim të përgjegjësisë institucionale për mosreagim në mbrojtje të të drejtave të grave, raporton Anadolu Agency (AA).
Protesta e cila për shkak të pandemisë u bë me biçikleta, filloi me tubim në sheshin “Zahir Pajaziti”, në kryeqytet.
Protestuesja Bjeshka Guri tha se përmes kësaj proteste kërkojnë drejtësi për gratë, të cilat janë viktimë e dhunës dhe vrasjeve tash e disa vite, gjë për të cilat ka fajësuar edhe institucionet e Kosovës për mosreagim të shpejtë.
“Jemi lodhur duke pritur në ankth për të dëgjuar për gratë e radhës që vriten e për ato që vazhdojnë të dhunohen”, tha Guri.
Ajo theksoi se jetët e grave në Kosovë po rrezikohen çdo ditë edhe për shkak të mendësisë patriarkale në shoqërinë kosovare.
“Përkundër mundësisë së limituar për protesta në këtë kohë, më shumë se çdo gjë po rrezikojmë jetët e grave. Prandaj, për ne është e rëndësishme që të ketë drejtësi dhe siguri për gratë. Jeta e çdo gruaje vlen dhe ne nuk mund të heshtim kundrejt padrejtësive ndaj grave vetëm sepse ato janë gra”, ka thënë Guri.
Grupi protestues pas fjalës për media, është nisur me biçikleta nëpër rrugët kryesore të Prishtinës duke brohoritur me fjalët “Edhe sa thirrje të humbura” dhe “Pa drejtësi nuk ka qetësi”.
Sipas organizatave joqeveritare në Kosovë, gjatë vitit 2019 dhe 2020 numri i rasteve të dhunës ndaj grave ka shënuar rritje. Ndërsa sipas Policisë së Kosovës, që nga fillimi i këtij viti e deri në muajin gusht janë paraqitur mbi 1.338 raste të dhunës ndaj grave, ku prej tyre 4 raste kanë përfunduar me vdekje.