Agim Sulaj
14 Dhjetor 2023•Përditësim: 15 Dhjetor 2023
Zjarrfikësit të cilët shërbejnë në qytete të ndryshme të Kosovës u mblodhën për të protestuar sërish para Qeverisë së Kosovës në Prishtinë për të kërkuar përmbushjen e kërkesave të tyre, raporton Anadolu.
Zjarrfikësit, të cilët dolën në protestë pavarësisht motit me shi, u shprehën të vendosur për kërkesat drejtuar ekzekutivit kosovar.
Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve në Kosovë, Muharrem Beka, tha se gjendja e shërbimeve të zjarrfikësve është shumë alarmante dhe heshtja e institucioneve për vite me radhë e ka shkaktuar këtë situatë tek ta.
“Kjo neglizhencë e institucioneve është e pakuptimtë. U kemi dhënë hapësirë, u kemi dhënë kohë, u jemi drejtuar prej vitit 2021, me këtë qeveri dhe qeveritë e tjera prej vitit 2008, dhe kjo gjendje, e cila nuk ka ecur asnjë hap përpara, ka shkaktuar këtë revoltë e cila me të vërtetë është e arsyeshme”, theksoi Beka.
Ai apeloi deri te qeveria dhe deputetët që të ndërmarrin hapa për kërkesat e tyre.
Ndër kërkesat kryesore të zjarrfikësve janë që të sigurohet buxhet emergjent për ta, të kthehet pagesa e rrezikshmërisë nga muaji shkurt i këtij viti, në mënyrë retroaktive, të sigurohen kushte më të mira të punës me pajisje personale dhe rroba mbrojtëse, sigurime shëndetësore dhe të rregullohet aspekti menaxhues-buxhetor i zjarrfikësve.
Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës ka njoftuar para disa ditësh se institucionet e shtetit nuk po i përmbushin kërkesat e tyre.