Abdula Berisha
15 Nëntor 2021•Përditësim: 16 Nëntor 2021
SHKUP (AA) - Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut u mbajt konferenca e fundit e grupit për integrimin ushtarak të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencë mori pjesë edhe ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmila Shekerinska, e cila iu drejtua përfaqësuesve të grupit punues për integrim.
Në një deklaratë për media, ministrja Shekerinska tha se me këtë konferenca, si dhe me nënshkrimin zyrtar të deklaratës, ngjarje e planifikuar për nesër, do të mund të thuhet se vendi i ka plotësuar plotësisht kushtet dhe se është plotësisht i integruar në NATO në aspektin ushtarak.
"Me këtë ne treguam se anëtarësimin në NATO nuk e konsideronim si hap përfundimtar, por ishim të vetëdijshëm se duhet të punojmë që të bëhemi vërtet të barabartë me të gjithë", tha Shekerinska.
Ajo shtoi se me këtë do të kompletohet integrimi ushtarak në aleancën e NATO-s. Shekerinska theksoi se kjo është bërë e mundur falë aktivitetit të madh dhe punës së madhe të njerëzve në strukturën e ushtrisë, të cilët së bashku me kolegët e NATO-s realizuan 193 detyra nga plani integrues.