Fatjon Cuka
17 Mars 2019•Përditësim: 18 Mars 2019
Policia e Shqipërisë ka arrestuar 14 persona, ndërsa 7 shtetas të tjerë janë shpallur në kërkim, në lidhje me tensionet dhe përplasjet gjatë protestës së djeshme antiqeveritare në Tiranë të partive opozitare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë, në një njoftim ka konfirmuar se 33 persona janë proceduar për aktet e dhunës në protestën e 16 marsit para Kuvendit të Shqipërisë.
“Policia e Tiranës nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka arrestuar 14 shtetas, për veprime të dhunshme mbi institucionet kushtetuese, mbi Policinë dhe për shkatërrimin e pronës gjatë zhvillimit të protestës së opozitës, të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, më datë 16.03.2019”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas policisë, të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Kundërshtim me dhunë të punonjësit të policisë”, “Prishje të rendit dhe qetësisë publike” dhe “Mbajtja dhe përdorimi i lëndëve plasëse”.
Kujtojmë se partitë opozitare, Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), mbajtën më 16 mars një protestë antiqeveritare në Tiranë, ku gjatë tensioneve dhe përplasjeve mbetën të plagosur disa policë dhe protestues.
Pas dorëzimit të mandatave parlamentare, partitë opozitare kanë organizuar në javët e fundit disa protesta në Shqipëri që u përfshinë edhe nga tensionet, ndërsa insistojnë në krijimin e një qeverie tranzitore që do të organizojë sipas tyre zgjedhjet e parakohshme.