Dzihat Aliju
18 Maj 2026•Përditësim: 18 Maj 2026
Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, tha se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian (BE), pas takimit me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, raporton Anadolu.
Në konferencën e përbashkët për media, Pirc Musar dhe Siljanovska-Davkova vlerësuan se marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve janë të shkëlqyera.
"E ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian. I përshëndesim përpjekjet reformuese të deritanishme të shtetit dhe harmonizimin e tyre me politikën e sigurisë. Sllovenia mbetet një mbështetëse e fortë dhe e sinqertë e zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor", tha Pirc Musar.
Pirc Musar theksoi se bisedimet e sotme kanë konfirmuar se mes dy shteteve ekziston një nivel i lartë besimi dhe përkushtim i përbashkët për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve të shkëlqyera bilaterale.
"Shkëmbimi i përgjithshëm tregtar në vitin 2025 arriti në 442 milionë euro, gjë që konfirmon trendin pozitiv për rritje të mëtejshme. Mundësi të mëdha shohim, para së gjithash, në bujqësi, burimet e ripërtëritshme të energjisë, digjitalizimin, turizmin ekologjik dhe atë termal", tha Pirc Musar.
- "Sllovenia është gjithashtu një shembull frymëzues se si ndërtohet me sukses një shoqëri funksionale dhe e integruar evropiane"
Siljanovska-Davkova, nga ana tjetër, tha se vizita në Slloveni po realizohet në kohën kur të dy shtetet shënojnë 35-vjetorin e pavarësisë.
"Është e padiskutueshme që Sllovenia është shtet mik i yni, por Sllovenia është gjithashtu një shembull frymëzues se si një shtet i vogël me institucione stabile, me sundim të ligjit dhe kulturë demokratike participative politike ndërton me sukses një shoqëri funksionale dhe të integruar evropiane", tha presidentja maqedonase.
Ajo deklaroi se linja e drejtpërdrejtë ajrore Shkup-Lubjanë do të kontribuojë shtesë në rritjen e afërsisë.
Në kuadër të vizitës, Siljanovska-Davkova do të realizojë takim edhe me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Sllovenisë, Zoran Stevanoviq.