Abdula Berisha
21 Prill 2022•Përditësim: 22 Prill 2022
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në një ceremoni me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake ka pritur presidentin e Letonisë, Egils Levits, i cili po qëndron për vizitën e tij të parë zyrtare në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Të dy presidentët zhvilluan një takim dypalësh dhe më pas u mbajt një takim i dy delegacioneve.
%2F20220421_2_53198198_76094068.jpg)
Bisedimet u fokusuan në marrëdhëniet dypalëshe, politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), sfidat e sigurisë në fqinjësinë më të gjerë në kontekstin e invazionit ushtarak rus në Ukrainë.
Në konferencën e përbashkët për media, presidenti Pendarovski falënderoi Letoninë për mbështetjen e ofruar Maqedonisë së Veriut në rrugën e integrimeve evropiane.
"Ju dhe lidershipi politik letonez e kuptoni absolutisht se paqja dhe siguria në Evropë janë në korrelacion të drejtpërdrejtë, ndër të tjera, me vendimet e Unionit për zgjerimin e tij", tha Pendarovski.
Presidenti i Letonisë, Egils Levits, duke theksuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, tha se Letonia dhe Maqedonia e Veriut janë të përkushtuara për paqen dhe sigurinë në Evropë.
Ai tha gjithashtu se invazioni rus në Ukrainë ka ndryshuar plotësisht situatën e sigurisë në Evropë, duke shtuar se Ukraina po lufton për të gjitha demokracitë në kontinentin e vjetër.
"Kam besim se situata e re në Evropë do të çojë në hapje më të madhe të BE-së në aspektin e zgjerimit, në aspektin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut, sepse është edhe çështje e besueshmërisë së BE-së", tha Levits, duke shtuar se BE-ja duhet të përmbushë premtimet e dhëna.
Në kuadër të vizitës zyrtare të presidentit të Letonisë, Egils Levits, janë vendosur kurora lulesh te varri i Goce Dellçevit.