Admir Fazlagikj
12 Maj 2020•Përditësim: 13 Maj 2020
Prej nesër në Republikën e Maqedonisë së Veriut, pas pothuajse dy muajve të ndalesës për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19), do të vazhdojnë të funksionojnë qendrat e mbyllura tregtare përpos restoranteve në to, qendrat arsimore, autoshkollat dhe bastoret me sportele, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, përmes një konference online njoftoi vendimet e qeverisë për fazën e parë të lehtësimit së masave.
"Në seancën e sotme të Qeverisë, ne miratuam pakon e parë të masave që zvogëlojnë kufizimet dhe ndërmarrim një hap të ri drejt normalitetit të ri në zona të caktuara, të cilat në këtë fazë të pandemisë COVID-19 në vendin tonë, e mundësojnë këtë. Ne besojmë se situata është nën kontroll. Ne nuk lejuam përhapjen e koronavirusit, që do të rrezikonte seriozisht shëndetin publik dhe shëndetin e qytetarëve, ndërsa sistemi shëndetësor me kapacitet të plotë arrin efikasitet në luftën kundër pasojave fatale të virusit”, tha Spasovski.
Siç tha ai, kjo situatë është rezultat i masave gjithëpërfshirëse dhe sistematike, të miratuara vetëm në bazë të rekomandimeve të Komisionit të Sëmundjeve Infektive dhe në bazë të analizave dhe studimeve shkencore të tyre dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
"Ne kemi indikacione të qarta nga Komisioni se po hyjmë në një periudhë kur pritet një rënie shtesë e përhapjes së virusit, i cili hap mundësinë e lehtësimit të masave dhe kufizimeve, në kushte dhe kritere jashtëzakonisht ekzakte", tha Spasovski.
Siç shpjegoi ai, duke pasur këtë parasysh, Qeveria në seancën e sotme miratoi Planin për lehtësimin e masave kufizuese, si një proces që do të zhvillohej në tre faza, në përputhje me zhvillimin e situatës epidemiologjike.
"Në javën e parë të lehtësimit të masave, pra nga nesër, do të zbatohen masat me protokollet e reja të punës për veprimtari që kanë rrezik më të ulët, siç janë: Instituti për Rehabilitimin e Dëgjimit, Fjalimit dhe Zërit - Shkup, qendrat për arsim, trajnime dhe seminare për të rriturit, organizimi i seancave të organeve drejtuese dhe konferencave, autoshkollave, stërvitjeve sportive në natyrë për sporte individuale, basoreve sportive dhe të tjera përmes sportelës, qendrave tregtare të mbyllura pa restoraen hotelieri në to”, informoi Spasovski.
Ai shtoi se për të arritur efikasitet dhe mbrojtje maksimale, protokollet e punës të përcaktuara posaçërisht do të zbatohen për secilën nga këto aktivitete.
Sipas njoftimit, protokolli për hapjen dhe funksionimin e qendrave tregtare parashikon orar të shkurtuar të punës (10:00-18:00), me përjashtim të ditës së dielë kur do të qëndrojnë të mbyllura.
Kujtojmë se me sugjerimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, presidenti Stevo Pendarovski shpalli gjendje të jashtëzakonshme më 18 mars, për shkak të përhapjes së koronavirusit. Gjendja e jashtëzakonshme është akoma në fuqi.
Sipas të dhënave më të fundit nga Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, deri më tani janë regjistruar 1.674 raste me COVID-19, prej të cilëve 92 kanë vdekur, 1.205 janë shëruar ndërsa 377 raste llogariten si aktive.