Fatjon Cuka
08 Gusht 2024•Përditësim: 10 Gusht 2024
Në Shqipëri vazhdojnë protestat për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", ndërkohë nuk u shënuan përplasje, raporton Anadolu.
Protesta e 20-të është organizuar me thirrjen e përfaqësuesve të partive opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe Partisë së Lirisë (PL), si dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Koordinatori rajonal i PD-së për Tiranën dhe ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu, në fjalën e tij u bëri thirrje protestuesve që të "vazhdojnë përballjen me korrupsionin".
"Ju ftoj që të vazhdojmë këtë qëndresë. Ju ftoj ta vazhdojmë këtë protestë duke vlerësuar interesin qytetar dhe jo interesin personal. Të vazhdojmë së bashku", u shpreh Balliu.
Zv.kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe përfaqësues i opozitës, Dorjan Teliti, në fjalën e tij në protestë u shpreh se nuk do të tërhiqen nga protestat.
"Qëndresa jonë në këtë protestë të 20-të merr një kuptim të veçantë, pasi i dhamë mesazhin e qartë çdokujt që mendonte që ne një ditë do të tërhiqemi. Ne nuk tërhiqemi. Ne nuk do të tërhiqemi derisa Tirana t'i kthehet ligjshmërisë dhe qytetarisë", tha Teliti.
Disa nga protestuesit hodhën vezë dhe sende të tjera ndaj selisë së Bashkisë së Tiranës, ndërkohë për mbarëvajtjen e protestës u angazhuan dhjetëra forca policore dhe u bllokuan disa akse rrugore.
Organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe në javën e ardhshme.
Në Shqipëri në muajit e fundit janë organizuar protesta për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", ndërkohë janë shoqëruar edhe me tensione dhe përplasje me forcat e policisë.
Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të këtij viti të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale "korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "refuzimi për deklarimin, mos deklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive".