“Qebapi me patate”, një shije tradicionale në Urmia të Iranit
Ky ushqim përgatitet kryesisht në qytetin Urmia, prej nga është përhapur edhe në pjesë të tjera të vendit
Tolga Akbaba
17 tetor 2026•Përditësim: 17 tetor 2026
photo: Tolga Akbaba / AA
Teheran
"Qebapi me patate”, një ushqim i përhapur në rajonin e Azerbajxhanit Perëndimor të Iranit dhe në zonat e tjera ku jetojnë turqit, është një nga shijet tradicionale që të hapin oreksin, raporton Anadolu.
Ky ushqim përgatitet kryesisht në qytetin Urmia, prej nga është përhapur edhe në pjesë të tjera të vendit. Patatet me lëkurë lahen, kriposen dhe piqen në furrë ose në tandir, mbi kripë ose gurë të vegjël. Më pas vendosen mbi bukën tradicionale sengek, e cila piqet gjithashtu mbi gurë. Brenda shtohen vezë të ziera, gjalpë, domate, qepë dhe barishte të freskëta.
Qebapi me patate shërbehet me ajranin tradicional të Urmit, i cili përgatitet në variante pikante dhe jo pikante, me shije të thartë.
Për banorët e Urmit, kjo nuk është vetëm një pjatë, por edhe pjesë e kujtimeve dhe kulturës së përbashkët. Ushqimi konsumohet gjatë gjithë ditës nga të rinjtë dhe të moshuarit. Madje, në qytet ekziston një rrugë e veçantë ku shumë dyqane shesin këtë specialitet.
Ngopës dhe ekonomik
Përveçse një ushqim tradicional, qebapi me patate konsiderohet një alternativë ndaj ushqimeve të shpejta, pasi është ekonomik dhe ngopës.
Ekber Rexhebzade, i cili udhëtoi nga qyteti Selmas drejt Urmit për të shijuar këtë specialitet, tha për Anadolu se sa herë që ka mundësi, vjen në qytet për ta ngrënë.
“Ky është një vend i njohur për ushqimet tradicionale, që shërben prej shumë vitesh. Ushqimi këtu është shumë më i mirë se në vende të tjera. Është natyral, i shijshëm dhe me çmime të mira”, tha ai.
Ai theksoi se tregtarët e zonës e shesin këtë ushqim prej 40-50 vjetësh dhe se njerëzit e preferojnë për shkak të shijes dhe përbërësve natyralë.
“Ky ushqim gjendet edhe në vende të tjera, por këtu ka shije krejt të veçantë. Përgatitet në tandir, mbi gurë, dhe kjo i jep shijen e tij karakteristike”, u shpreh ai.
Dy ortakë shitën ushqim në të njëjtin dyqan për 37 vjet pa folur me njëri-tjetrin
Rauf Gilani, i cili që nga mosha nëntëvjeçare kalonte kohë në rrugën e qebapit me patate dhe sot e shet këtë ushqim, tha se ai përmban proteina, vitamina dhe lëndë të tjera ushqyese.
Sipas tij, për ta provuar këtë specialitet, në Urmi vijnë njerëz edhe nga zona të largëta.
Gilani tregoi gjithashtu një histori të pazakontë për dyqanin ku punon. Rreth 45 vjet më parë, dy miq të quajtur Hasan dhe Sejjid e blenë atë, por më vonë u prishën me njëri-tjetrin. Megjithatë, ata vazhduan të punonin në të njëjtin dyqan për plot 37 vjet, pa folur me njëri-tjetrin.
Hasani shiste ajran, ndërsa Sejjidi qebap me patate. Ata e kishin ndarë dyqanin në dy pjesë dhe secili merrte paratë nga shitjet e veta. Madje, kishin ndarë edhe tavolinën ku hanin dhe kriporet.
“Klientët ishin mësuar me këtë situatë. Kush donte t’i hidhte kripë ajranit përdorte kriporen e Hasanit, ndërsa kush donte t’i hidhte kripë qebapit përdorte atë të Sejjidit. Kështu punuan për 37 vjet. Të gjithë në Urmi i njohin dhe e dinë historinë e tyre”, tha Gilani.
“Qebapi me patate”, një shije tradicionale në Urmia të Iranit