AA sjell pamje të të prekurve nga sulmi kimik në Idlib
Një pjesë e sirianëve të prekur nga sulmi kimik, në mesin e të cilëve ka gra dhe fëmijë, po trajtohen në Turqi, ndërkohë që pjesa tjetër nëpër spitale të ndryshme që gjenden në pjesën periferike të Idlibit
Salim Taş, Cem Genco
05 Prill 2017•Përditësim: 06 Prill 2017
Idlib
IDLIB (AA) - SALİM TAŞ / CEM GENCO
Anadolu Agency (AA) ka xhiruar sirianët të cilët u ndikuan nga sulmi i djeshëm i regjimit të Bashar al Asadit me armë kimike në qytezën Han Shejhun në prefekturën e Idlibit në Siri dhe të cilët po trajtohen në spitalet në Idlib në afërsi me kufirin me Turqinë.
Një pjesë e sirianëve të prekur nga sulmi kimik, në mesin e të cilëve ka gra dhe fëmijë, po trajtohen në Turqi, ndërkohë që pjesa tjetër nëpër spitale të ndryshme që gjenden në pjesën periferike të Idlibit.
Abdulaziz Shatha, mjek internist në një spital në Idlib, për AA tha se pas sulmit të djeshëm kimik nga regjimi i Asadit, në spitale kanë arritur numër i madh i njerëzve. Shatha theksoi se po përpiqen që brenda mundësive t'u dalin në ndihmë të prekurve nga sulmi kimik.
Ndërkaq, Shatha u shpreh se personat të prekur më rëndë nga gazi kimik janë dërguar në Turqi.
"Të gjithë personat e ardhur në spitalin tonë janë prekur nga sulmi kimik. Duke marrë parasysh shenjat te pacientët tanë, mendojmë se është përdorur gaz sarin. Një pjesë të pacientëve po i trajtojmë këtu, ndërsa ata që janë në gjendje më të rëndë i kemi dërguar në Turqi", theksoi Shatha, duke falënderuar Turqinë për hapjen e menjëhershme të kufirit dhe pranimin e të prekurve.
"Nga xhamitë u bënë thirrje për ndihmë për ata që kanë automjete"
Ndërkohë, Omer Sade, i cili ishte prekur nga sulmi me armë kimike të realizuar nga forcat e Asadit, rrëfeu se teksa po flinte në shtëpi, kishte dëgjuar një shpërthim të fuqishëm dhe kishte dalë në rrugë për të parë se çfarë po ndodhte, ku kishte parë të plagosur të shtrirë në tokë. Sade tregoi se ishte përpjekur t'u ndihmonte të plagosurve, porse pas një kohe edhe ai vetë ishte përkeqësuar dhe kishte rënë në tokë.
Duke i rrëfyer me lot në sy përjetimet, Sade thotë: "Pas sulmit, të shtrirë për tokë kishte fëmijë, gra dhe të moshuar. Në ato çaste ndodhi shpërthim tjetër në një lagje tjetër. Në ato çaste unë humba ndjenjat dhe u rrëzova për tokë. Njerëzit përreth filluan të derdhnin ujë mbi mua. Pashë se në tokë ishin shtrirë të paktën 400 njerëz. Ata që posedonin automjete përpiqeshin t'i dërgonin në spital të prekurit nga gazi. Aq i madh ishte numri i të plagosurve, saqë nuk mund të gjenim automjete. Nga xhamitë u bënë thirrje për ndihmë për ata që kanë automjete. Çfarë i kemi bërë ne Basharit? Pse po godet kështu? Le ta thotë arsyen! A bëhet kjo gjë ndaj njerëzve. Humba nënën, vëllanë dhe dajën. Nuk më ka ngelur askush. Vrau të gjithë."
Një sirian tjetër i prekur nga gazi kimik, Adnen Ramadan, thekson se dëshiron të jetojë ditë të bukura në shtetin e tij. Ai theksoi se shtetet islame ngelin të heshtura ndaj ngjarjeve në Siri.
"Tanimë duam të shohim ditë të bukura në shtetin tonë. Shtetet islame le t'i shohin më këto ngjarje. Edhe pse shohin teksa vëllezërit e tyre vriten, ata heshtin dhe vështrojnë", u shpreh Ramadan.