Sayed Khodaiberdi Sadat
24 Maj 2020•Përditësim: 24 Maj 2020
KABUL (AA) - Me rastin e Fitër Bajramit është shpallur armëpushim i ndërsjellë mes talebanëve dhe qeverisë së Afganistanit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga talebanët bëhet e ditur arritja e armëpushimit gjatë Festës së Bajramit në mënyrë që qytetarët të kalojnë një Bajram të lehtë.
Në deklaratën në të cilën thuhet se militantët në të gjithë vendin nuk do të kryejnë sulme gjatë këtyre 3 ditëve, bëhet e ditur se do të jepet përgjigje e nevojshme në rast se ndodh ndonjë sulm nga pala tjetër.
Më tej vihet në dukje se militantët gjatë periudhës së armëpushimit nuk do të dalin jashtë zonave që kanë nën kontrollin e tyre.
- Deklaratë nga qeveria afgane
Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani tha se e mirëpresin vendimin për armëpushim të talebanëve dhe se ata poashtu kanë marrë vendim për armëpushim gjatë ditëve të Bajramit.
Në një deklaratë nga llogaria e tij në rrjetin social, Ghani tha se edhe forcat e sigurisë në të njëjtën mënyrë nuk do të ndërmarrin asnjë operacion kundër talebanëve gjatë Bajramit.