Muhammet İkbal Arslan
12 Prill 2019•Përditësim: 13 Prill 2019
Zyrtarët e Anadolu Agency (AA) morën pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të vitit 2019 të platformës MINDS International (Komunikimit Mobil dhe Shërbimeve të të Dhënave të Lajmeve) dhe në Konferencën e 27-të me temë "Ndërtimi i agjencive më të mira të lajmeve".
Në konferencën e organizuar në kryeqytetin e Portugalisë, Lisbonë, nga ana e agjencisë portugeze të lajmeve LUSA, u diskutuan tema të ndryshme, përfshirë problemet me të cilat përballet sektori i lajmeve të agjencive dhe inovacionet në këtë sektor.
Pjesëmarrësit këmbyen mendime mbi raportimin digjital, qasjet e reja të marketingut dhe inovacionet teknologjike.
Në konferencë, e cila organizohet dy herë vit nga shtetet anëtare dhe fokusohet në strategjitë e medias digjitale të agjencive të lajmeve dhe të ardhmen e lajmeve ndërkombëtare, AA u përfaqësua nga drejtori i Burimeve Njerëzore dhe Çështjeve Administrative, Ural Yeşil, dhe drejtori i Inofrmacionit dhe Teknologjive të Komunikimit, Yakup Şıvka.
Në prezantimin e tij, Şıvka shpjegoi dallimet e teknologjive satelitore dhe të internetit në sektorin e transmetimit të drejtpërdrejt. Ai tha se me përhapjen e përdorimit të internetit, transmetimet e drejtpërdrejta tashmë kanë filluar të realizohen përmes internetit, gjë që, sipas tij, me vete ka sjellë mundësi të reja.
Şıvka tha se në saje të një aplikacioni që AA ka zhvilluar me një firmë vendase, nga fillimi i vitit 2018 nuk përdorin sistemet satelitore pa në raste të padetyrueshme dhe shtoi se agjencia të gjitha transmetimet i realizon përmes internetit.
Ai njoftoi se AA u dërgon abonentëve katër transmetime të drejtpërdrejta në të njëjtën kohë dhe atyre u ofrohet e drejta për të zgjedhur, duke shtuar se abonentët mund t'i përdorin transmetimet e dëshiruara edhe në televizione.
Sipas tij, menaxhimi i transmetimeve të drejtpërdrejta mund të bëhet nga çdo vend me qasje në internet.
Pas mbledhjes u zgjodhën anëtarët e bordit të ri të unionit.
Në krye të Bordit Drejtues u zgjodh drejtori i përgjithshëm i agjencisë norvegjeze TT, Jonas Eriksson.
Po ashtu, me unanimitet, agjencia e lajmeve Reuters u zgjodh anëtari i 24-t i MINDS International.
AA është bërë anëtare e MINDS International në maj të vitit 2014.