Muhammed Sabry
06 nëntor 2023•Përditësim: 07 nëntor 2023
Qeveria e Gazës kërkoi mbrojtje për autokolonat që evakuojnë palestinezët e plagosur drejt Egjiptit nëpërmjet kalimit Rafah, transmeton Anadolu.
“Autokolonat duhet të shoqërohen nga automjetet e Kryqit të Kuq dhe të Kombeve të Bashkuara për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë e tyre”, tha në një deklaratë Zyra e Mediave e Qeverisë së Gazës.
Të paktën 13 palestinezë u vranë dhe 26 të tjerë u plagosën kur avionët luftarakë izraelitë goditën një ambulancë në qytetin e Gazës të premten. Ushtria izraelite pretendoi se anëtarët e Hamasit po përdornin automjetin për të transportuar armë. Hamasi mohoi pretendimet e ushtrisë izraelite.
Sipas burimeve palestineze, dhjetëra palestinezë të plagosur dhe shtetas të huaj janë evakuuar nga Rripi i Gazës në Egjipt përmes pikës kufitare Rafah në ditët e fundit.
Tensionet u përshkallëzuan në gjithë territoret palestineze mes sulmeve ajrore dhe tokësore izraelite në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.
Më shumë se 11.300 njerëz janë vrarë në konflikt, duke përfshirë të paktën 9.770 palestinezë dhe pothuajse 1.500 izraelitë.
Përveç numrit të madh të viktimave dhe zhvendosjeve masive, furnizimet bazë po mbarojnë për 2,3 milionë banorët e Gazës për shkak të rrethimit izraelit.