Büşra Nur Bilgiç Çakmak
01 Tetor 2020•Përditësim: 01 Tetor 2020
Bashkimi Evropian dëshiron një "agjendë pozitive" me Turqinë, tha sot presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të shkurtër para takimit të KE-së në Bruksel, Von der Leyen bëri thirrje për deeskalim në Mesdheun Lindor, por gjithashtu paralajmëroi se BE-ja ka përgatitur mjete për t'iu përgjigjur një krize të re të mundshme.
"Ka dy mundësi: Ose tensionet janë në rritje, gjë që ne nuk e duam, ose ka deeskalim dhe ne lëvizim drejt një marrëdhënie konstruktive, gjë të cilën ne e dëshirojmë", tha ajo.
"Por, ka disa mjete në dispozicion të BE-së, ne duam deeskalim, ne duam një agjendë pozitive (me Turqinë), kjo së bashku do të diskutohet sot", tha Von der Leyen.
Liderët e BE-së po takohen sot në Bruksel për diskutime dyditore rreth çështjeve ndërkombëtare, tensioneve në Mesdheun Lindor dhe marrëdhëniet me Turqinë.
Mosmarrëveshjet në Mesdheun Lindor
Tensionet kohët e fundit janë përshkallëzuar për çështjen e kërkimeve të energjisë në Mesdheun Lindor.
Greqia ka kontestuar aktivitetet aktuale kërkuese të energjisë së Turqisë në Mesdheun Lindor, duke u përpjekur të bllokojë territorin detar turk bazuar në ishuj të vegjël pranë bregdetit turk.
Turqia, vendi me vijën më të gjatë bregdetare në Mesdhe, ka dërguar anije për të eksploruar për energji në shelfin e saj kontinental, duke përmendur se Ankaraja dhe Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) kanë të drejta në rajon.
Për të ulur tensionet, Turqia ka bërë thirrje për dialog për të siguruar ndarjen e drejtë të burimeve të rajonit.