Melike Pala
14 korrik 2026•Përditësim: 14 korrik 2026
Bashkimi Evropian (BE) avancoi negociatat e anëtarësimit me Ukrainën, Moldavinë, Malin e Zi dhe Shqipërinë, duke zhvilluar katër konferenca ndërqeveritare për anëtarësim në Bruksel, në atë që komisarja për zgjerimin, Marta Kos, e përshkroi si një ditë historike për politikën e zgjerimit të bllokut evropian, transmeton Anadolu.
“Sot është vërtet një e martë super për zgjerimin. Për më shumë se dy dekada, nuk kemi pasur katër konferenca anëtarësimi në një ditë”, u tha Kos gazetarëve para takimeve.
Duke i cilësuar katër vendet kandidate si “një tërfil me katër fletë me fat për zgjerimin”, ajo tha se secili prej tyre po ndërmerr një tjetër hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE.
Për Ukrainën dhe Moldavinë, BE-ja hapi negociatat për Kapitullin/Klasterin 6, që mbulon marrëdhëniet e jashtme.
Ky klaster përfshin Kapitullin 30 mbi marrëdhëniet e jashtme dhe Kapitullin 31 mbi politikën e jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes, duke kërkuar që vendet kandidate të përshtatin politikat e tyre tregtare, të jashtme dhe të sigurisë me ato të BE-së, përfshirë sanksionet, deklaratat politike dhe bashkëpunimin në mbrojtje.
Komisioni Evropian e konsideron Ukrainën të gatshme për të avancuar më tej në procesin e anëtarësimit, shtoi Kos.
Ajo theksoi se hapja e katër klasterëve të mbetur të negociatave do të varet nga presidenca e radhës e Këshillit Evropian dhe nga shtetet anëtare.
Duke komentuar zhvillimin, zyrtarët ukrainas mirëpritën hapjen e negociatave për Klasterin 6, ndërsa ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Andrii Sybiha, e përshkroi atë si “një tjetër sinjal të qartë se rruga e Ukrainës drejt BE-së po ecën vazhdimisht përpara”.
“Falënderoj Komisionin Evropian, Irlandën dhe të gjitha shtetet anëtare të BE-së për udhëheqjen dhe mbështetjen në bërjen të mundur të këtij momenti historic. Ukraina mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj avancimit të reformave dhe arritjes së përafrimit të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së”, shkroi Sybiha në rrjetin social amerikan X.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Moldavisë tha se hapja e negociatave të anëtarësimit për Klasterin 6 shënon “një tjetër moment të rëndësishëm” në rrugën evropiane të Kishinauit.
“Çdo hap përpara e afron Moldavinë më pranë anëtarësimit në BE dhe drejt një të ardhmeje më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë për qytetarët tanë”, tha ministria në X.
BE-ja shënoi gjithashtu përparim në proceset e anëtarësimit të vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor.
Kos e përshkroi konferencën me Shqipërinë si “një moment vendimtar”, duke theksuar se vendi ka filluar për herë të parë mbylljen e kapitujve të negociatave.
Ajo theksoi gjithashtu përparimin e Malit të Zi, duke shtuar se “vendi kryesues” mes shteteve kandidate mbylli përkohësisht edhe dy kapituj të tjerë, duke e çuar numrin total në 18 nga 33 kapitujt.